Skandali 140 milionë euro/ Berisha: Pacolli dhe Valoni janë thjesht prestanome, por emrat e vërtetë janë Rama dhe 'Lubi' Balluku!

22 October 2025, 13:33Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Skandali 140 milionë euro/ Berisha: Pacolli dhe Valoni janë thjesht
Sali Berisha/ Behgjet Pacolli

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha sot në konferencën për shtyp me mediat se pronarët e vërtetë të aeroportit të Vlorës janë kryeministri Edi Rama dhe zëvendësja e tij Belinda Balluku, pasi biznesmenët, përfshi edhe Behgjet Pacollin, janë thjesht “presta nome”.

Ai kërkoi hetim të gjithanshëm për këtë megaaferë.

“Duhet një hetim i gjithanshëm për aeroportin e Vlorës. S’mund të jepet kurrë garanci për aeroportin e Vlorës. Aeroporti është një aferë megakorruptive. Unë e kam denoncuar, pavarësisht se ishte Pacolli aty”, tha ai.

Më tej Berisha shpjegoi se kompania koncesionare do zhvaste taksat e shqiptarëve me ndihmën e qeverisë, sepse edhe sikur të mos bëheshin fluturime, ata do arkëtonin 140 mln euro nga taksat e shqiptarëve.

“Është e tmerrshme të gjobisësh shqiptarët, parashikimi 700 mln fitimi për 35 vite koncesion dhe 10 vitet e para taksapaguesit i paguajnë koncesionarit 140 milionë. Shteti s’mund të jepte kurrë garanci për 600 mijë bileta”, u shpreh kreu i selisë blu.

Në fund ai tha se Behgjet Pacolli dhe Valon Ademi ishin thjesht “presta nome” dhe pronarët janë Rama dhe Balluku.

Berisha përgëzoi edhe dy ish-ministrat Ahmetaj dhe Gjiknuri që refuzuan ta firmosnin aeroportin, por shtoi se atë e bëri ‘Lubi Balluku”.

“Pacolli dhe Valoni janë thjesht prestanome, por pronarët e vërtetë janë Rama, Balluku dhe të tjerët. Përgëzoj dy ish-ministrat që nuk e firmosën, ajo ishte gjobë për taksapaguesit shqiptarë. Ata refuzuan, por megaaferën e firmosi Balluku”, tha ai.


Video