
Shqipëria shënon sot 15-vjetorin e anëtarësimit zyrtar në NATO, Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut.
Në këtë ditë të veçantë për shqiptarët, presidenti Bajram Begaj ka ndarë një mesazh, duke thënë se kjo datë është më e rëndësishmja e historisë sonë kombëtare.
“Data e 1 prillit të vitit 2009 jetësoi vizionin Euroatlantik të shqiptarëve për të qenë pjesë e Aleancës politiko-ushtarake më të fuqishme të kohës sonë. Ky anëtarësim realizoi aspiratën e kahershme të popullit shqiptar, duke e kthyer atë te përkatësia e vet perëndimore, e mishëruar që në filozofinë e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit, si strateg i aleancës së parë politiko-ushtarake me Perëndimin. Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO është një ndër datat më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare”, shkruan Begaj.
Kreu i Shtetit shpreh mirënjohjen ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe aleatëve që mbështetën Shqipërinë në këtë rrugëtim. Më tej, Begaj ndalen edhe në rolin dhe kontributin e Shqipërisë në NATO, duke thënë se ka sjellë më shumë siguri për vendin, rajonin dhe hapësirën Euroatlantike.
“Mirënjohës ndaj popullit shqiptar, SHBA-ve dhe aleatëve, të cilët mundësuan realizimin e këtij anëtarësimi. Shqipëria në këto 15 vite në NATO ka sjellë më shumë siguri për vendin, rajonin dhe hapësirën Euroatlantike.
Krenar për efektivët e Forcave tona të Armatosura, si dhe vajzat e djemtë shqiptarë në misionet paqeruajtëse dhe operacionet e NATO-s, si: Afganistan, Irak, Bosnjë, Kosovë, Bullgari, Letoni dhe Deti Egje. Shqipëria do të vijojë të jetë e palëkundur që, së bashku me aleatët, të mbrojë lirinë e të kontribuojë për një botë në paqe", shkruan Begaj.
Më 1 prill 2009, Shqipëria u bë anëtare me të drejta të plota në NATO, pas përfundimit të ratifikimit të Protokollit të Anëtarësimit nga të gjitha vendet aleate dhe depozitimit të instrumentit të aderimit në NATO në Departamentin e Shtetit që është edhe mbajtësi ligjor i Traktatit të Uashingtonit.
Duke u bërë palë e këtij Traktati dhe shtet anëtar i NATO-s, Shqipëria përmbushi një synim strategjik dhe një objektiv parësor të politikës së jashtme, duke avancuar ndjeshëm në realizimin e interesave të saj kombëtare.