Gjatë fjalës së saj në Kuvend, deputetja e PD-së Greta Bardeli e ka vënë fokusin tek shqetësimi i ngritur në raportin e Komisionit Europian mbi projektin për amnistinë fiskale që po përgatitet nga Qeveria si dhe për projektin për "pasaportat e arta"
Bardeli është shprehur se Komisioni Europian i ka konsideruar këto projekte si rrezik potencial, teksa shton më tej se asnjë vend në botë sot nuk zhvillohet mbi bazën e parave kriminale të drogës dhe trafiqeve.
Nga foltorja e Kuvendit, deputetja demokrate tha se nga ana tjetër përpëlitja në këto skema të zeza nxjerr para gjithë institucioneve ndërkombetare dhe opinionit publik gjendjen ku është katandisur arka e shtetit.
“Raporti i Komisionit Europian për Shqipërinë për vitin 2022 është qartazi kundër projektit të amnistisë fiskale që po përgatitet nga qeveria, “Miratimi i një amnistie tatimore dhe penale kundër këshillave të BE-së cenon luftën kundër pastrimit të parave”, deklarohet në këtë raport!
I njëjti paralajmërim është dhënë dhe për projektin tjetër të qeverisë për skemat e nënshtetësisë për gjoja investitorët e huaj. “Sa i përket shtetësisë, Shqipëria duhet të frenohet nga zhvillimi i një skeme të nënshtetësisë së investitorëve pasi do të përbënte rrezik për sa i përket sigurisë, pastrimit të parave, evazionit fiskal, financimit të terrorizmit, korrupsionit dhe infiltrimit nga krimi i organizuar dhe do të ishte i papajtueshëm me kriteret e BE-së!
Besoj është fortë e qartë për të gjithë!
Por është pikërisht ky hap që qeveria do ta kryejë me patjetër për të njëjtat arsye që Komisioni Europian i thekson si rrezik potencial!
Me bekimin e institucioneve dhe agjensive qeveritare janë lejuar qëllimisht në vend të zhvillohen një numër i madh biznesesh që punojnë me para nën dorë dhe të paformalizuara!
Ndodh në sytë e të gjithëve që kompani që kanë pronarë që janë në kërkim ndërkombëtar apo burg për trafik të paligjshëm, të përfitojnë nga tenderat publik apo PPP duke vënë me shpatulla pas muri kompanitë që konkurojnë denjësisht apo investitorët e huaj që besojnë te ligji dhe procedurat e drejta!
Të gjithë ekspertët më të njohur të ekonomisë e theksojnë me forcë si reagim ndaj projekteve të zeza të qeverisë se: Asnjë vend në botë nuk zhvillohet mbi bazën e parave kriminale të drogës dhe trafiqeve!
Ne sot kemi padyshim një qeverisje që është kokë e këmbë në mbrojtje të interesave kriminale e korruptive në përmasat më dramatike të njohura ndonjëherë!
Nga ana tjetër përpëlitja në këto skema të zeza nxjerr para gjithë institucioneve ndërkombetare dhe opinionit publik gjendjen ku është katandisur arka e shtetit! Zhytur në borxhe dhe e degraduar nga pagesat e projekteve korruptive sikurse telenovela e turpit të bosëve të inceneratorëve!!
Së fundi për shkak të rritjes së interesave të borxhit publik Banka e Shqipërisë ka shtrënguar politikat monetare gjë që detyrimisht çon në kredi më të shtrenjta për qytetarët e bizneset!! Një faturë tjetër e keqqeverisjes” - u shpreh Bardeli.