Samiti për Ukrainën do të mbahet shumë shpejt në Tiranë, Rama: Do të jetë i pranishëm edhe Zelensky

22 January 2024, 17:51Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Samiti për Ukrainën do të mbahet shumë shpejt në
Edi Rama

Edhe pse temë kryesore në tryezën e kësaj të hëne në Shkup ishte Plani i Ri i Rritjes Ekonomike të Komisionit Europian për rajonin e Ballkanit, kryeministri Edi Rama preku edhe çështjen e sigurisë.

Rama ka zbuluar se shumë shpejt në Tiranë do të mbahet një samit mjaft i rëndësishëm për Ukrainën, ku prezent do të jetë edhe Presidenti Volodymyr Zelensky.

“Çështjet e sigurisë nuk kanë qenë temë e takimit të sotëm, janë prekur në mënyrë parimore ose mbase të detajuar në takimet bilaterale. Do përgatisim një samit në Tiranë për Ukrainën dhe do kemi të pranishëm Presidentin Zelensky dhe paralelisht me të do përpiqemi që në atë hark kohor të kemi dhe takimin tjetër të liderëve të rajonit me përfaqësuesit e sotëm dhe që janë ata që do ndjekin këtë proces për të bërë një bilanc të këtij muaji, deri në fund të shkurtit, dhe për të punojmë me ritëm të përshpejtuar. Duhet të kapim datat dhe mundësisht të mbyllim këtë paketë dukë bërë punën tonë brenda afateve që ka kjo administratë. Është një samit në mbështetje të Ukrainës dhe për të diskutuar me Presidentin lidhur me sfidat e sigurisë”, tha kryeministri në konferencën me gazetarët pas takimit mes përfaqësuesve të BE-së, atyre të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe të administratës amerikane.

Sa i takon integrimit të Kosovës në NATO, Rama u shpreh se procesi nuk ka një datë fikse dhe se është një përpjekje e përditshme.

Marrëdhëniet Shqipëri-SHBA i cilësoi si më të mirat dhe produktivet ndonjëherë, duke theksuar se komunikoi me Ndihmës-Sekretarin amerikan të Shtetit James O’Brien.

“Kemi folur për Shqipërinë dhe rajonin. Besoj që marrëdhëniet tona me SHBA-në nuk kanë qenë ndonjëherë më produktive e të afërta dhe besoj edhe roli ynë në rajon nuk ka qenë ndonjëherë më i qartë se në këtë moment ku u dha një shembull se të gjithë duhet të jemi në tryezë dhe të punojmë bashkë. Kur flitet për një gjë kaq pozitive, kaq të nevojshme për të gjithë popujt tanë, atëherë tryeza është vend ku trajtohen çështje ekonomike, që lidhen me mirëqenien dhe përshpejtimin e të gjithë fazave që na afrojnë përfundimisht në BE”, përfundoi Rama.


Video