Sali Berisha në "arrest shtëpie", reagon Rama: S’merrem me non grata!

30 December 2023, 13:15Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Sali Berisha në "arrest shtëpie", reagon Rama:
Edi Rama/ Sali Berisha

Në të njëjtën kohë që kryeministri Edi Rama mbante konferencën vjetore, GJKKO mori vendimin për ashpërsimin e masës ndaj ish-kryeministrit, Sali Berisha.

Rama reagoi duke u shprehur se nuk është fitore e një partie arrestimi i dikujt, të cilësdo parti.

Ai po ashtu theksoi faktin se partitë politike, nuk janë organizata luftarake që funksionojmë për të eliminuar kundërshtarët.

"‘S’kam asnjë koment, nuk merrem me dikë që është shpallur non grata nga SHBA e kam thënë qysh në krye të herës. Kurrë nuk është fitore e një partie arrestimi i dikujt, të cilësdo parti. Kjo është në parim, partitë fitojnë zgjedhje për të çuar përpara vendin dhe partitë nuk janë organizata luftarake që funksionojnë për të eliminuar kundërshtarët.

Kështu që nuk e shoh si një fitore të Partisë Socialiste apo si një fitore të Erionit apo Taulantit për këmbënguljen në detyrën e tyre.

Kjo nuk ka lidhje farë më dëshirën, objektivin, nevojën për të parë si fitore faktin që cilido qoftë, vihen nën trysninë dhe nën masat e drejtësisë. Ashtu si kundër, nuk ka drejtësi në këtë vend deri kur të gjykohet 21 Janari.

Pa u gjykuar 21 janari dhe pa u vënë para drejtësisë vrasësit dhe urdhëruesit, drejtësia do të jetë e gjymtuar moralisht dhe e pamjaftueshme sa i përket fuqisë së saj.

21 janari do të vendosë një gur të palëvizshëm deri ku mund dhe nuk mund të shkoj ushtrimi i forcës së shtetit si rezultat i abuzimit me të nga persona të veshur me pushtet”, tha ndër të tjera  Rama.


Video