Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, të hënën ricikloi një ide të vjetër, duke sfiduar Parlamentin dhe palët e tjera politike, nëse do e miratojnë apo jo një draft, që ndëshkon politikanët, njësoj si gjyqtarët, që kanë bërë korrupsion apo kanë lidhje me personazhe të botës e krimit, apo njerëz që kanë lidhje me ta.
Por vetëm një ditë më pas, pra të martën, Basha përmes rrjeteve sociale, njoftoi disa takime në Laç e në Kurbin.
Një prej tyre ishte dhe një familje kurbinase, ku mes të tjerëve, merrte pjesë dhe babai i një prej personazheve të botës së errët, Ervis Martinajt, i dënuar për vepra të rënda penale, dhe i zhdukur prej muajit gusht të vitit të shkuar.
Lulzim Basha dhe i ati i Martinajt, shihen duke biseduar lirshëm me njëri-tjetrin, megjithëse nuk dihet nëse po flisnin për projektligjin e vettingut të politikaneve.
Ajo që dihet është se të atit të Vis Martinajt i janë sekuestruar 34 prona, tre prej të cilave prona direkte të Mustafa Martinajt.
Sipas ekspertëve hetimorë, sekuestro e pasurive, bëhet për efekt hetimor, lidhur me burimin e të ardhurave si dhe me mundësinë e pastrimit të parave të pista.
Pra nëse Basha thotë, që drafti i tij, është në parashikime i njëjtë me atë të vettingut të gjyqtarëve e prokurorëve, a mund të quhet dhe ky takim, i papërshtatshëm?
Vettingu i gjyqtarëve thotë se kontakte direkte apo indirekte me të dënuar apo të afërm të të dënuarve, automatikisht i heq nga sistemi.
Projekti i ligjit për vettingun e politikanëve, parashikon kufizime të kontakteve të familjarëve me botën e krimit, shkruan abc.
Por problemi i Lulzim Bashës është me i thellë se kaq, dollia me të atin e Vis Martinajt nuk duket se ka qenë një takim i rastësishëm.
Prezantimi i draftit nga Lulzim Basha për vettingun e politikanëve:
Mustafa Martini rezulton se është pjesë edhe e strukturave qendrore të PD-së së Lulzim Bashës, dhe jo strukturave të vjetra.
Babai i Martinajt është ndër 150 anëtarët e Këshillit Kombëtar të Bashës, i zgjedhur më 2 Shtator të këtij viti. Tashmë e vetmja gjë që nuk mund të vihet më në dyshim, është serioziteti i Lulzim Bashës.