Politika ka dënuar atentatin me tritol ndaj kreut të Rithemelimit të Vaut të Dejës, Benard Ndreca.
Ish kryeministri, Sali Berisha ka reaguar për këtë ngjarje të rëndë dhe ka akuzuar kryeministrin Rama si përgjegjës të atentatit ndaj tij.
Edhe Presidenti Begaj ka dënuar aktin e rëndë ndaj Ndrecës ndërsa është shprehur se nxit institucionet përgjegjëse të vendosin para ligjit persnat përgjegjës.
‘Mësova me shqetësim mbi vendosjen e një sasie eksplozivi në automjetin në pronësi të Z.Bernard Ndreca, në Laç, Vau i Dejës.
Dënoj me forcë aktet e dhunës ndaj cdo individi e ndaj aktivistëve politikë të çdo kahu. Nxis institucionet përgjegjëse të identifikojnë e të vendosin para ligjit personat përgjegjës.’- tha Begaj.
Në një reagim në rrjetet sociale Spiropali kërkon që të organet ligjzbatuese të zbardhin menjëherë këtë akt kriminal.
Spiropali shpreh keqardhjen edhe për reagimin e Zef Hilës e të Sali Berishës, ku thotë se nuk presin rezultatet e hetimit, por lëshojnë akuza kriminale ndaj kundërshtarit për të rritur kapitalin politik që tashmë u ka shterrur.
‘I kërkoj organeve ligjzbatuese të zbardhin urgjentisht aktin kriminal të vendosjes së tritolit në makinën e Z.Ndreca, në Vaun e Dejës. Përgjegjësit duhet të marrin dënimin e merituar. Ky është akti i dytë kriminal në pak muaj në këtë zonë, pas vendosjes së tritolit jashtë zyrave të OSHEE në Bushat.
Është për të ardhur keq që haxhiqamilisti i Vaut të Dejës, Zef Hila, bashkë me atë të Foltores me qera te Partia e Lirisë, Sali Berisha, nuk presin rezultatet e hetimit, por lëshojnë akuza kriminale ndaj kundërshtarit për të rritur kapitalin politik që tashmë u ka shterrur.
Janë të njëjtët njerëz që në 2019-ën në një akt barbar të pashembullt i vunë zjarrin shkollës në Bushat dhe dogjën materialet zgjedhore.
Për veprimin e tyre kriminal Zef Hila u shkarkua nga kryetar bashkie dhe zjarrëvënësit e tjerë u arrestuan. Fatkeqësisht, drejtësi për aktin nuk u bë. Dosja u mbyll. E inkurajoj policinë dhe prokurorinë të mos stepen nga sulmet politike, por të bëjnë detyrën deri në zbardhjen e hollësishme të aktit të sotëm dhe vendosjen para drejtësisë të përgjegjësve.’- shkruan Spiropali.
Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar pas ngjarjes në Vaun e Dejës, ku kreut të degës Benard Ndrecës iu bë atentat me tritol. Berisha, në një dalje për mediat, bëri përgjegjës kryeministrin Edi Rama dhe ministrin Bledi Çuçi.
“Me këtë akt terrorist Edi Rama inauguron çeljen e fushatës së tij elektorale. Kjo përbën krim të shëmtuar, përbën një akt të pashembullt në historinë e zgjedhjeve kur një drejtues kryesor i një dege të PD sulmohet apo ndaj tij organizohet një atentat për likuidimin e tij.
Vau i dejës dhe mbarë Shqipëria janë sot më të vendosur se kurrë në fitoren e këtyre zgjedhjeve. Unë kam biseduar në telefon me Benardin, Zef Hilën dhe u shpreh atyre mbështetjen dhe solidaritetin tim të plotë. Dënoj këtë krim të shëmtuar, specialistët e tritolit janë në kontrollin qeveritar shtetëror.
Pasi dështuan me të gjitha mënyrat në Vaun e Dejës, së fundi zgjodhën atë me ekstremen, por edhe me të dështuan. Duke dënuar këtë akt të narko-shtetit bëj përgjegjës Edi Ramën dhe ministrin e familjes Çuçi, pasi policia e Vau të Dejës dhe shefi i komisariatit sillen si seksion i PS.
Me sjelljet e tyre militanteske, të gjitha dyshimet shkojnë se janë organizatorët e këtij akti. U bëj thirrje demokratëve të vazhdojmë këtë betejë se ky akt i sotëm është dëshmi e një përpëlitjeje të një organizate kriminale të kryesuar nga Rama që ka humbur çdo shpresë dhe nuk nguron as aktet më ekstreme për të terrorizuar", tha Berisha.