Kryeministri Edi Rama iu është përgjigjur akuzave të ardhura nga disa zyrtarë britanikë të cilët deklaruan se shqiptarët janë pjesë të grupeve kriminale dhe kërkuan largimin e tyre.
Sekretarja e Brendshme britanike, Suella Braverman tha dy ditë më parë se vendi përballet me një "pushtim" nga njerëzit që përshkojnë me varka kanalin anglez, ndërsa reagoi ndaj presionit në rritje për shkeljet e saj të përsëritura të sigurisë.
Në një postim në Twitter, Rama shkruan se Britania nuk duhet të bëjë retorikë krimi “që përfundon duke dënuar të pafajshmit”, por e fton të marrë shenbullin e Gjermanisë që “shtrëngoi” sistemet e saj për emigrantët.
Kreu i qeverisë shqiptare shprehet se shqiptarët në Britaninë e Madhe punojnë shumë dhe paguajnë taksa. Sipas tij, qeveria shqiptare ka për detyrë të luftoj krimin në shtëpinë e saj.
Postimi i Ramës
Vënia në shënjestër e shqiptarëve (siç bënë disa me turp kur luftuan për Brexit) si shkaku i krimit të Britanisë dhe problemeve kufitare e bën retorikën e lehtë, por injoron faktet e vështira. Të përsërisësh të njëjtat gjëra dhe të presësh rezultate të ndryshme është çmenduri (pyete Ajnshtajnin!)
70% e 140,000 shqiptarëve që janë shpërngulur në MB jetonin në Itali dhe Greqi. 1200 prej tyre janë njerëz të biznesit. Shqiptarët në Britaninë e Madhe punojnë shumë dhe paguajnë taksa. Britania e Madhe duhet të luftojë bandat e krimit të të gjitha kombësive dhe të ndalojë diskriminimin e shqiptarëve për të justifikuar dështimet e politikave.
Shqipëria është një vend i NATO-s dhe po negocion anëtarësimin e saj në BE. Është gjithashtu një vend i sigurt origjine. Kur Gjermania pati një problem të ngjashëm, ajo shtrëngoi sistemet e veta. Britania e Madhe mund dhe duhet të bëjë të njëjtën gjë, duke mos u përgjigjur me një retorikë krimi që përfundon duke dënuar të pafajshmit.
Shqipëria nuk është një vend i pasur dhe ka qenë për një kohë shumë të gjatë viktimë e perandorive, ne kurrë nuk kemi pasur tonat. Ne kemi për detyrë të luftojmë krimin në shtëpi dhe po e bëjmë këtë me vendosmëri, pasi bashkëpunojmë ngushtë edhe me të tjerët. Gati për të punuar më afër me Mbretërinë e Bashkuar, por faktet janë vendimtare. Kështu është edhe respekti i ndërsjellë.