Kryeministri Edi Rama do të niset ditën e nesërme drejt Gjermanisë, pasi ditën e enjte, më datë 3 Nëntor 2022, me ftesë të Kancelarit Gjerman Olaf Shcolz, do të mbahet në Kancelarinë Federale një takim në kuadër të procesit të Berlinit, për Ballkanin Perëndimor.
Burime për mediat bëjnë me dije se gjithçka është parashikuar të nisi rreth orës 09:00 të mëngjesit, ndërsa pjesëmarrës, përveç liderëve të Ballkanit Perëndimor, pritet të jetë edhe Presidentja e Komisionit Europian Ursula Von Der Leyen dhe Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel.
Sipas agjendës, ky samiti do të ndahet në dy pjesë, ndërsa fokusin kryesor pritet të marrë edhe situata aktuale energjitike, për të krijuar mundësinë e një bashkëpunimi më të gjerë mes vendeve europiane dhe atyre të rajonit.
Gjithashtu në diskutim do të jenë edhe disa marrëveshje, ndër to ajo që parashikon lëvizjen e lirë me kartë identiteti si dhe njohjen e diplomave mes vendeve të Ballkanit Perëndimor.