Nuk ka bashkim në PD, Paloka tregon pse dështuan negociatat me grupin Alibeaj-Basha

1 November 2022, 21:51Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Nuk ka bashkim në PD, Paloka tregon pse dështuan negociatat me grupin
Edi Paloka

Deputeti i Partisë Demokratike, Edi Paloka ishte përfaqësuesi nga grupi i Berishës për të dialoguar me Gazment Bardhin, përfaqësuesin e grupit të Alibeajt në mënyrë që Partia Demokratike të dalë me një kandidat të vetëm në zgjedhjet vendore të 2023. Por ky proces dialogu dështoi dhe nuk u arrit asnjë kompromis.

Edi Paloka, duke folur për gazetarët nga selia blu, tha se grupi që mbështet Sali Berishën nuk ka vendosur asnjë kusht përveç primareve, ndërsa sipas tij, qëllimi i palës tjetër mesa duket nuk ka qenë bashkëpunimi.

“Sinqerisht edhe gjatë bisedimeve nuk e kam pasur këtë impresion, por më duhet ta them sot se duke lexuar deklaratën e dalë prej grupit të tyre duket se në asnjë moment qëllimi i grupit të tyre nuk ka qenë bashkëpunimi. Duket se qëllimi ka genë zhdukja e vullnetit të demokratëve. Duke lexuar këtë deklaratën vetëm këtë përfundim arrij të nxjerr. Gjatë gjithë kohës në diskutimet që kemi bërë, PD ka njoftuar të gjitha modalitetet e mundshme që ndërthurja edhe e kandidatëve edhe e asaj pjese të PD që ende nuk është angazhuar në struktura, të ishte e plotë. E vetmja gjë për të cilën nuk kemi hyrë në diskutime kanë qenë primaret”.

Paloka theksoi se nuk ishte vendosur asnjë kusht nga ana e grupit që mbështet Sali Berishën.

“Përveç primareve që kanë qenë të padiskutueshme, asnjë kusht tjetër. Kush do ishte kushti që mund të vinim ne më logjiku? Po të donim i thonim kërkojmë bashkëpunim ndërkohë jemi në gjyq dhe ne vazhdojmë flasim për bisedime. Pra po të ishte për kusht, minimalisht u kemi kërkuar. Përshtypja ime gjatë bisedimeve, se bisedimet nuk kanë filluar sot me z.Bardhi, kanë filluar më herët me të tjerë, vullneti për primaret nuk është diskutuar përpara bisedimeve që kemi bërë”.

 


Video