Qëndrimi i Qipros për Kosovën dhe marrëdhëniet me Shqipërinë, flet ministri i Jashtëm qipriot, Konstantinos Kombos

7 September 2025, 18:43Politikë SHKRUAR NGA ALQI KOçIKO
Qëndrimi i Qipros për Kosovën dhe marrëdhëniet me
Ministri i Jashtëm qipriot, Konstantinos Kombos

Diplomati i lartë qipriot viziton këtë të diel, 7 shtator, Tiranën për një vizitë pune, si kthim vizite pas udhëtimit të fundit të ministrit shqiptar të Jashtëm, Igli Hasani, në Qipro. Gjatë vizitës së tij, ministri Kombos do t’i drejtohet takimit të Shefave të Misioneve Diplomatike (Ambasadorëve) të Shqipërisë dhe pritet të ketë takime me Presidentin Begaj, Kryeministrin Rama, Kryetaren e Parlamentit Spiropali dhe homologun e tij Hasani, si edhe me Kryepeshkopin e Shqipërisë, Joanin.

Në këtë intervistë, z. Kombos flet për marrëdhëniet dypalëshe dhe potencialin ende të pashfrytëzuar në bashkëpunimin ekonomik, për Presidencën e ardhshme të BE-së nga Qiproja në gjysmën e parë të vitit 2026, qëndrimin e vendit të tij për Kosovën dhe çështje të tjera.

- Zoti Ministër, faleminderit për këtë intervistë për Albanian Daily News. Vizitat e zyrtarëve të lartë qipriotë në Tiranë janë shumë të rralla, ndërsa në qershorin e kaluar ministri ynë i Jashtëm, Igli Hasani, vizitoi Qipron. Si do ta përshkruanit gjendjen aktuale të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Qipros?

Marrëdhëniet tona dypalëshe kanë ndjekur një trajektore në rritje dhe kanë një perspektivë veçanërisht pozitive. Vizita ime është kthim i asaj të fundit të ministrit Hasani me synimin për të ndërtuar mbi këtë momentum përmes zhvillimit dhe thellimit të bashkëpunimit tonë në sektorë të ndryshëm. Do të dëshiroja gjithashtu t’ju kujtoj vizitën e Presidentit Christodoulides në majin e kaluar në Tiranë, ku mori pjesë në Samitin e EPC të organizuar nga Shqipëria.

- Sipas jush, cilat fusha meritojnë thellim të bashkëpunimit dhe paraqesin interesin më të madh të ndërsjellë?

Ekziston një potencial i pashfrytëzuar në të gjitha fushat që, sipas nesh, duhet të zgjerohet me synimin e rritjes së bashkëpunimit ekonomik, i cili do të inkurajonte dhe nxitë investimet. Në të njëjtën kohë, promovimi i marrëveshjeve të reja, siç është shmangia e tatimit të dyfishtë – negociatat për të cilën do të nisin së shpejti – mbetet gur themeli për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve tona ekonomike dypalëshe. Vlen të përmendet gjithashtu se komuniteti i biznesit në Qipro e konsideron rajonin e Ballkanit Perëndimor si një hapësirë shumë tërheqëse për zhvillimin e sinergjive. Shqipëria ofron një kombinim tërheqës të pozicionimit strategjik, vrullit ekonomik, politikave mbështetëse dhe mundësive të reja sektoriale, duke e bërë atë një destinacion të veçantë për bizneset qipriote. Kjo është një mundësi që si Qiproja, ashtu edhe Shqipëria duhet ta shfrytëzojnë dhe ta kthejnë në përparësi.

- Në gjysmën e parë të vitit 2026 (janar-qershor), Qiproja do të marrë Presidencën e radhës së Bashkimit Evropian. Mund të ndani me ne disa nga prioritetet e mundshme të kësaj Presidence?

Prioritetet tona do të jenë përfundimi i disa dosjeve që do t’i trashëgojmë, por edhe lënia e gjurmës sonë në drejtim të zhvendosjes së vëmendjes së Bashkimit Evropian edhe drejt Lindjes së Mesme më të gjerë. Jo vetëm si një rajon me kriza të njëpasnjëshme, por edhe si një rajon mundësish dhe potenciali. Kjo ka shumë kuptim në aspektin e menaxhimit të krizave, parandalimit të tyre, në aspektin e migracionit, por edhe të marrëveshjeve të tregtisë së lirë, marrëveshjeve të tjera dhe projekteve të ndërlidhjes.

- Z. Kombos, negociatat pesëpalëshe për Qipron nën udhëheqjen e OKB-së përfunduan në korrik pa zgjidhur mosmarrëveshjet kryesore. Megjithatë, Presidenti Christodoulides shprehu optimizëm për vijimin e dialogut. Çfarë shpresoni të arrini në të ardhmen e afërt?

Qeveria e Republikës së Qipros mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj objektivit të çlirimit dhe ribashkimit të Qipros, mbi bazën e një federate bizonale, bikomunale, në përputhje me Rezolutat përkatëse të Këshillit të Sigurimit të OKB-së; një zgjidhje të drejtë dhe të qëndrueshme, në përputhje me acquis communautaire; një zgjidhje që do të garantojë të drejtat dhe mirëqenien e të gjithë qipriotëve.

Rifillimi i negociatave mbi bazën e kornizës së rënë dakord të OKB-së mbetet prioritet i Qeverisë dhe rruga e vetme për t’i dhënë fund okupimit dhe ndarjes së paligjshme të ishullit tonë. Përpjekjet tona për të ndërtuar kushtet e nevojshme për një rikthim në negociata domethënëse do të vazhdojnë me vendosmëri të palëkundur dhe me përkushtim ndaj së drejtës ndërkombëtare dhe parimeve e vlerave themelore të Bashkimit Evropian. Pa dyshim, i njëjti vullnet duhet të shprehet edhe nga pala tjetër. Dhe, fatkeqësisht, nuk e kemi parë.

 - Për shkak të pozicionit të saj gjeografik strategjik, Qiproja është shteti anëtar i BE-së më pranë Lindjes së Mesme. Në disa raste, vendi juaj ka vepruar si lehtësues komunikimi mes palëve në konflikt, si në rastin e luftës Izrael-Iran. Bota duket se po hyn në një spirale të rrezikshme konfliktesh. Si e vlerësoni rolin e BE-së në këto kohë të vështira dhe çfarë duhet të ndryshojë?

Si shteti anëtar i BE-së më afër rajonit, Qiproja vazhdon angazhimin e saj aktiv në dialog me aktorët rajonalë. De-përshkallëzimi dhe përpjekjet e qëndrueshme diplomatike janë e vetmja rrugë e qëndrueshme përpara.

Qiproja është në skajin juglindor të Bashkimit Evropian. Dhe kjo nuk është thjesht një dalje gjeografike. Është një shtyllë strategjike. Pa dyshim, të gjithë e dimë se vendndodhja është thelbësore. Por është stabiliteti ynë politik dhe qeverisja demokratike, kapitali ynë njerëzor, diplomacia jonë aktive, ajo që e shndërron gjeografinë në vlerë për partnerët tanë. Një portë lidhëse mes rajoneve.

Në vitet e fundit kemi pasur nevojë të aktivizonim planet tona të evakuimit dhe të lehtësonim evakuimin e shtetasve të vendeve të treta nga e gjithë bota të paktën në katër raste. Në të njëjtën kohë, kemi mbajtur një qëndrim aktiv lidhur me atë që po ndodh në Gaza në frontin humanitar. Së fundmi, kemi dorëzuar edhe 1.200 ton ndihma atje përmes bashkëpunimit ndërkombëtar dhe rajonal.

- Z. Ministër, Qiproja është një nga pesë vendet anëtare të BE-së që nuk e ka njohur shtetin e Kosovës. A mund të shpjegoni pozicionin e Qipros për këtë çështje?

Qëndrimi ynë për Kosovën është i njohur dhe i qëndrueshëm, në përputhje me qasjen tonë më të gjerë. Do të doja të theksoj se në krye të BE-së vitin e ardhshëm, Qiproja do të jetë një ndërmjetës i ndershëm.

Në të njëjtën kohë, nevojitet të shohim një angazhim të prekshëm në Dialogun e Beogradit dhe Prishtinës të lehtësuar nga BE-ja. Palët pritet të angazhohen aty me mirëbesim. Kjo është e vetmja rrugë përpara.

- Megjithëse disi me vonesë, Shqipëria ka ndërmarrë së fundi hapa të rëndësishëm drejt anëtarësimit në BE. Si e shihni progresin e Shqipërisë dhe cilat janë mendimet tuaja mbi zgjerimin e Unionit drejt Ballkanit Perëndimor?

Do të doja të përsëris edhe një herë se Qiproja është mbështetëse e perspektivës së anëtarësimit të Shqipërisë. Zgjerimi i BE-së drejt Ballkanit Perëndimor është një domosdoshmëri gjeopolitike në këto kohë sfiduese. Është një premtim sigurie, stabiliteti dhe prosperiteti.

Parimet udhëzuese të Presidencës sonë, lidhur me zgjerimin, janë kushtëzimi i rreptë por i drejtë, respektimi i parimit të meritave të veta dhe përkushtimi ndaj interesave strategjike të BE-së. Progresi mbi bazat themelore dhe sundimi i ligjit, përfshirë të drejtat e minoriteteve dhe pronës, si edhe përpjekjet e qëndrueshme kundër korrupsionit, janë një sine qua non.

Ne mirëpresim angazhimin e Shqipërisë dhe përkushtimin ndaj procesit të reformave, përfshirë përafrimin e plotë me qëndrimet e PJSB-së, gjë që është një dëshmi e përkushtimit ndaj integrimit evropian dhe e vizionit tonë të përbashkët gjeopolitik. / ADN


Video