Për herë të parë në historinë e vendit, Shqipëria do të ketë një Ministri Antikorrupsion, risi e prezantuar sot nga kryeministri Edi Rama, duke zbuluar se në krye do të jetë Adea Pirdeni, e cila deri sot ka mbatur postin e zëvendës-ministres në Ministrinë e Drejtësisë.
Rama e argumentoi nevojën për një Ministri Antikorrupsion duke thënë se “politikat antikorrupsion të qeverisë duhet të harmonizohen më mirë mes institucioneve të ekzekutivit, me ekzigjencat e procesit sfidues të negociatave me BE për të gjitha institucionet e vendit, si edhe me vetë shoqërinë civile e sipërmarrjen”.
Por ajo që Rama nuk shpjegoi është pse pas gati 10 vitesh qeverisje, Shqipërisë i duhet një ministri e re kundër korrupsionit, ndërkohë që lufta ndaj këtij fenomeni duhet të ishte një ndër prioritetet më të rëndësishme dhe të pandërprera.
Që pas ndërrimit të sistemeve, Shqipëria “ka nxirë” në listën e korrupsionit, duke u renditur pranë fundit jo vetëm në rang global, por edhe mes fqinjëve të rajonit. Madje në vitin 2022 sipas Transparency International, Shqipëria tregoi një përkeqësim më të madh se 6 vite më parë.
Megjithatë tre vite më parë, Rama vendosi të krijojë Drejtorinë e Përgjithshme Antikorrupsion, në varësi të ministrit të Drejtësisë Ulsi Manja.
Por edhe pse ka funksionuar për 3 vite, kjo drejtori duket se nuk ka dhënë rezultate të kënaqshme, ndonëse Manja pretendon se ka çuar në prokurori më shumë se 40 kallëzime për korrupsion.
Vetëm dy muaj më parë, Manja deklaroi se po punonte për të hartuar strategjinë e re anti-korrupsion e cila do të përqëndrohej në disa institucione të rëndësishme si tatimet, doganat dhe në prokurimet publike.
Por me vendimin e sotëm, Rama e spostoi Majën nga anti-korrupsioni, duke ia lënë tashmë në dorë ministres më të re, Adea Pirdeni. Se çfarë do të ndodhë me luftën kundër korrupsionit, tashmë në dorë të Pirdenit, mbetet për t'u parë.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.