PS merr në dorë zgjedhjen e Presidentit, pritet brenda 6 qershorit

29 May 2022, 16:15Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

PS merr në dorë zgjedhjen e Presidentit, pritet brenda 6 qershorit

Të hënën Kuvendi do të mblidhet në seancë plenare për të konsumuar raundin e tretë të zgjedhjes së Presidentit, pasi as këtë raund nuk ka asnjë emër në garë.

Procedura kërkon që edhe këtë raund presidentit të zgjidhej me 84 vota. PS priti propozime nga ana e Partisë Demokratike, por kjo e fundit nuk çoi asnjë emër.

Tashmë kanë mbetur edhe dy raunde, në të cilat Presidenti zgjidhet me shumicë të thjeshtë prej 71 votash.

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se nuk do ta çojë zgjedhjen e Presidentit për në raund të fundit, që do të thotë se brenda të hënës tjetër vendi do të mësojë pasuesin e Ilir Metës.

Raundi i katërt duhet të mbahet brenda datës 6 qershor. Atij do t’i paraprijë propozimi i emrave nga ana e socialistëve, ku çdo propozim duhet të mbështetet nga firmat e 20 deputetëve. Një deputet nuk mund të mbështesë më shumë se një kandidat.

Pra, në rastin më të mirë, PS do të çojë për votim tre emra në Kuvend, por mund të ndodhë që në seancë të votohet vetëm për një emër.

 

 


Video