
Shtetet e Bashkuara të Amerikës deklarojnë se Shqipëria po mbështet hetimet për krime lufte në Ukrainë, së bashku me Bashkimin Europian dhe vendet e tjera partnere të Perëndimit.
“Presidenti Biden dhe Sekretari Blinken i kanë dënuar krimet e qarta të luftës që anëtarët e forcave ruse kanë kryer në Ukrainë. Shtetet e Bashkuara, Shqipëria, Bashkimi Europian dhe aleatët dhe partnerët tanë po gjurmojnë dhe dokumentojnë mizoritë në Ukrainë, në mënyrë që të mund të ndajmë informacionin me institucionet që punojnë për të kërkuar llogaridhënie nga ata që janë përgjegjës për veprimet e tyre. Së bashku me Shqipërinë, Shtetet e Bashkuara po mbështesin një sërë hetimesh ndërkombëtare për mizoritë në Ukrainë. Këtu përfshihen ato të kryera nga Gjykata Ndërkombëtare Penale, Kombet e Bashkuara dhe Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE). Ne po mbështesim gjithashtu shoqërinë civile dhe OJQ-të që dokumentojnë shkeljet e të drejtave të njeriut”, thuhet në një deklaratë të shpërndarë nga Ambasada e SHBA në Tiranë.
Më 17 maj, Departamenti Amerikan i Shtetit nisi një Observator të ri të Konfliktit për të mbledhur, analizuar dhe vënë gjerësisht në dispozicion prova të krimeve të luftës dhe mizorive të tjera të kryera nga Rusia në Ukrainë.
Programi synon të mbështesë ndjekjet penale eventuale në gjykatat vendore të Ukrainës, gjykatat në vende të cilat janë palë të treta, gjykatat e SHBA-ve dhe gjykata të tjera të rëndësishme. Me kërkesë të Prokurorit të Përgjithshëm të Ukrainës, SHBA po mbështet gjithashtu edhe një ekip prokurorësh ndërkombëtarë dhe ekspertësh për krimet e luftës, të cilët po ofrojnë këshilla dhe mbështetje për përpjekjet e autoriteteve ukrainase për të mbledhur, ruajtur dhe analizuar në mënyrë të ngjashme provat për krime lufte në Ukrainë.