
Një grup qytetarësh u tubuan para Kryeministrisë për të kërkuar të drejtën e votës së emigrantëve.
Qytetarët i bënë thirrje klasës politike që t’u sigurojë emigrantëve të drejtën e votës që në zgjedhjet e radhës.
“Në atdhe nuk më latë të jetoj, të paktën më lini të kontribuoj”, thuhej mes parrullave të protestuesve.
E drejta e votës së emigrantëve është rënë dakord sipas marrëveshjes së 5 qershorit 2020 mes PS dhe PD. Të dyja palët publikisht shprehen pro, por asnjëra nuk e ka shtyrë përpara këtë proces, duke nxjerrë si pengesë çështje teknike.
Për të mundësuar të drejtën e votës së emigrantëve qeveria ndërmori një nismë ku u kërkonte të vetëdeklaronin adresën online. Por, nisma u la përgjysmë dhe aktualisht nuk dihet se sa është numri i emigrantëve shqiptarë që kanë deklaruar adresat në vendet ku jetojnë dhe punojnë.