Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka thirrur një protestë të shtunën e 11 Shkurtit, e cila është programuar të nisë në orën 12:00 para godinës së Kryeministrisë. Kësaj proteste kanë konfirmuar se do t'i bashkohen edhe Partia e Lirisë si dhe disa deputetë të grupit të Enkelejd Alibeajt.
Burime nga selia blu bëjnë me dije se në shesh pritet të ketë rreth 80-100 mijë veta, por kjo mbetet për t'u parë ditën e protestës.
Po të njëjtat burime konfirmojnë se do të jenë rreth 200 persona staf nga PD në mbarëvajtjen e protestës. Foltorja do të vendoset para Kryeministrisë dhe pritet të flasin drejtues të Partisë Demokratike, por edhe nga shoqëria civile.
Fokusi i fjalimeve do të jetë tek skandali "McGonigal", për takimet e kryeministrit Edi Rama me ish-agjentin e arrestuar të FBI-së, por edhe lidhur me pretendimet se mazhoranca po tenton që të lerë jashtë zgjedhjeve bashkiake Partinë Demokratike.
Partia Demokratike ka kërkuar leje për protestë me afat të pacaktuar, por ende nuk dihet skenari nëse do të ketë vetëm disa fjalime dhe do të mbyllet si gjithmonë apo do të bëhet diçka ndryshe.