Kryeministri Edi Rama duke folur në “Këshillin e Atlantikut” tregoi për rrezikun që i kanoset rajonit tonë, sipas tij, nëse nuk bëhet gjëja e duhur për të mbajtur konfliktin jashtë.
Rama tha se rajoni nuk duhet të bie pre e konfrontimeve, por të trefishojë përpjekjet për paqe.
Sa i përket asociacionit, Rama tha se liderat në Kosovë e kanë pranuar në parim, dhe kjo sipas tij është një meritë e Albin Kurtit dhe qeverisë së Kosovës, për të dëshmuar vullnet të ecin përpara.
“Lufta mes Izraelit dhe Hamasit është vërtet e rrezikshme, sepse Hamasi dhe ata që e mbështesin janë agjentë të vërtetë kaosi. Dhe ky kaos që duan ta përhapin kudo jo vetëm në Lindjen e Mesme mund të ndikojë dhe në rajonin tonë nëse nuk jemi të ndërgjegjshëm dhe nuk bëjmë gjënë e duhur për ta mbajtur jashtë këtë konflikt.
Duhet të mos biem pre e konfrontimeve dhe përshkallëzimeve por të trefishojmë përpjekjet për të normalizuar dhe bërë paqe. Jam i inkurajuar nga ndryshimi në qasje i autoriteteve të Kosovës duke pranuar në parim asociacionin. Kryeministri dhe qeveria e Kosovës dëshmuan vullnet të rëndësishëm për të ecur para dhe kërkuar zgjidhje e jo alibi apo për të kërkuar të shkuarën në vend të së ardhmes”, tha ndër të tjera Rama.