Kostoja financiare e votës së një qytetari të Elbasanit, Vorës, apo Kamzës, tri bashkitë ku do të votohet elektronikisht do të jetë shumëfish më e lartë se ajo e pjesës tjetër të shqiptarëve.
Duke iu referuar të dhënave të pjesëmarrjes në zgjedhjet e vitit 2015-të, janë gati 136 mijë votues në të trija bashkitë. 72 mijë janë në Elbasan, Kamza ka 48 mijë dhe Vora 16 mijë të tjerë.
Fondi i vënë në dispozicion nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vetëm për votimin elektronik është rreth 17 milionë euro. Nëse këtë shifër e pjestojmë me numrin e votuesve në zgjedhjet e 2015-ës në këto tri bashki, rezulton që një votë do të kushtojë 125 euro.
Për votimin elektronik, si shembull është marrë Estonia. Por, Shqipërisë i njëjti proces do t’i kushtojë 100 herë më shtrenjtë në variantin më të lirë estonez dhe 100 herë më shtrenjtë në variantin më koston më të lartë në Estoni.
Një studim i akademisë estoneze në vitin 2018-të arriti në përfundim se kostoja e votimit elektronik do të varionte nga 2 euro deri në 20 euro për votë. 2 euro është vlerësuar kostoja e votës në qendrat e ngritura nga administrata zgjedhore, ndërsa 20 euro kostoja e votimit elektronik përmes një sistemi të cilin qytetarët mund ta aksesonin edhe nga shtëpia.
Ndërkohë, kostoja totale e zgjedhjeve në Shqipëri pritet që të tejkalojë 30 milionë eurot. KQZ prej javësh ka hapur serinë e tenderave për procesin e 14 majit, ku shumica e tyre janë me negocim të drejtpërdrejt, ku shumicën e fondeve i ka përfituar kompania holandeze Smartmatic, e njëjta që zbatoi projektin pilot të votimit elektronik në njësinë numër 10 në Tiranë në zgjedhjet parlamentare të 2021-shit.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.