“Po ata idiotët shqiptarë çfarë thonë?” - Si është e vërteta e mesazheve të publikuara nga PD, që ia faturon ministrit Ferit Hoxha

24 April 2026, 19:51Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

“Po ata idiotët shqiptarë çfarë thonë?” -

Ministria e Jashtme ka dalë me një reagim zyrtar në lidhje me akuzat nga ana e Partisë Demokratike për një mesazh të ministrit Ferit Hoxha, i cili, sipas tyre, i ka cilësuar shqiptarët e Maqedonisë së Veriut “idiotë”.

“Po ata idiotët shqiptarë atje çfarë thonë?”, pretenduan disa nga deputetët e PD-së se ka thënë ministri Hoxha.

Por Ministria e Jashtme, përmes zëdhënësit të saj, e quan mesazhin e publikuar nga deputetët demokratë si sajesë dhe të pavërtetë.

“Është për të ardhur keq që pretendime të tilla fabrikohen dhe më pas amplifikohen nga aktorë politikë në vend”, theksohet në reagim.

Reagimi

Zëdhënësi i Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme shpreh keqardhjen për publikimet e shpërndara sot në mediat sociale, të cilat pretendojnë të paraqesin komunikime të brendshme, por që në fakt janë të pavërteta. Ato nuk kanë asnjë lidhje me realitetin. Komunikimi i servirur publikut është i paqenë. Është për të ardhur keq që pretendime të tilla fabrikohen dhe më pas amplifikohen nga aktorë politikë në vend.

Kjo nuk është hera e parë që në arenën publike hidhen pretendime se anëtarë të shërbimit të jashtëm gjoja shkelin betimin e tyre. Ministri Hoxha shpreh besim të plotë në ndershmërinë dhe profesionalizmin e Shërbimit të Jashtëm, i cili vijon të përmbushë detyrat me përkushtim, duke u fokusuar në punën e tij dhe duke mos u ndikuar nga zhurmat dhe tymnajat e qëllimshme.

Denoncimi i PD

Ishte fillimisht kreu i grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi, ai i cili ka reaguar ashpër ndaj një mesazhi në whatsapp që mendohet se i përket ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, duke e cilësuar atë si “skandaloze dhe fyese” ndaj shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

Në një komunikim në një grup whatsapp, pretendohet se Hoxha është shprehur me një fjali me përmbajtje fyese ndaj shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, duke thënë: “Po ata idiotët shqiptarë atje çfarë thonë?”

Mesazhi vjen në kontekstin e një diskutimi ku përmendet edhe një shkrim i gazetës “Nova Makedonija” lidhur me një deklaratë të kryeministrit Edi Rama.

"Dënoj me forcën më të madhe dhe pa asnjë ekuivok deklaratën skandaloze dhe fyese të Ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, drejtuar shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

Është e papranueshme dhe e patolerueshme që një zyrtar i lartë publik t’u referohet shqiptarëve si “idiotë”. Një qëndrim i tillë e përjashton menjëherë nga çdo funksion publik dhe e bën të pamundur vijimin e ushtrimit të detyrës, qoftë edhe për një minutë më shumë. Aq më tepër kur bëhet fjalë për ministrin përgjegjës për përfaqësimin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.

Kjo gjuhë e papërgjegjshme dhe denigruese jo vetëm që cenon rëndë dinjitetin e shqiptarëve, por krijon bindjen se kemi të bëjmë me një përfaqësues që flet në frymën e propagandës së huaj dhe jo në interes të Republikës së Shqipërisë. Kjo deklaratë është e denjë vetëm për Nikolla Pashiqin apo Vasa Çubrilloviç.

Një retorikë e tillë bie haptazi ndesh me nenin 8 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.

Ferit Hoxha duhet të japë menjëherë dorëheqjen. Çdo vonesë është e pajustifikueshme. Kryeministri ka detyrimin politik dhe institucional ta shkarkojë pa asnjë hezitim dhe të distancohet publikisht dhe qartë nga kjo gjuhë fyese dhe e papranueshme, që të kujton retorika të errëta të së kaluarës kundër shqiptarëve.

Çdo minutë më shumë në detyrë është një fyerje për shqiptarët dhe një njollë për Republikën e Shqipërisë", tha Bardhi.


Video