
Spitali i ri i “Infektivit” në QSUT është përuruar sot pas disa muajsh në proces rikonstruksioni.
Kryeministri Edi Rama, i pranishëm në ceremoninë e përurimit bashkë me ministren e Shëndetësisë Ogerta Manastirlu, është shprehur se godina e re është një formë shprehjeje e mirënjohjes për mjekët dhe infermierët, për punën e palodhur që bënë gjatë pandemisë.
Sa i përket kësaj të fundit, Rama e cilësoi si një histori të madhe suksesi pasi stafeve spitalore u desh të përballeshin me “sfidën më të madhe të mjekësisë shqiptare që nga themelimi i shtetit shqiptar”
“Nuk duhet lënë rast pa e shprehur respektin dhe mirënjohjen. Kjo godinë është shprehje e mirënjohjes.
Çfarë u bë një histori e madhe suksesi për gjatë luftës me një armik të padukshëm, të mos mbetet thjesht një episod falë lidershipit të mjekëve me më shumë eksperiencë por edhe të trashëgohet te brezi më i ri si frymë e patjetërsueshme.
Ky investim do të shërbeje për të krijuar një sens më të fortë skuadre që e tregoi veten në momentin më tragjik për vendin, në sfidën më të madhe të mjekësisë shqiptare që nga themelimi i shtetit shqiptar…”
Kryeministri Edi Rama ka premtuar se paga e stafit mjekësor që punon në spitalin Infektiv do të ketë sërish rritje nëse Shqipëria nuk përballet me ndonjë krizë apo katastrofë tjetër.
“Me ndihmën e Zotit që mos na sjelltë ndonjë tjetër katastrofë, jam i bindur që ta cojmë në 100% rritjen e pagës për të gjithë ju që shërbeni në këtë kompleks. Investimet do të vijojnë dhe në territore të tjera nga Dibra në Gjirokastër, nga Lezha dhe më tutje në zona të tjera për ta përmbyllur mozaikun e infrastrukturës së shëndetësisë dhe për ta transformuar.
Ne e dimë që kjo nuk mjafton. Duhet të ecim me autonominë spitalore për të bërë rritjen e mëtejshme të pagave të mjekëve sipas performancës që kush punon më shumë, të fitojë dhe më shumë se paga tavan”, tha Rama.