Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas dënimit nga Gjykata e Tiranës të poetes Mimoza Ahmeti me 40 orë punë publike, pasi e shpalli fajtor për ndërtim të plaigjshëm, për shkak se riparoi shtëpinë e dëmtuar nga tërmeti.
Në një postim në rrjetet sociale, ai godet ashpër Prokurorinë e Tiranës, të cilin e quan si “mbretëri xhuxhash”, si organ drejtësie me të dobëtit dhe dobësie me të fortët.
Rama shton më tej se dosjet e denpncimeve për ndërtime të paligjshme për qëllim fitimi apo për evazion fiskal me miliona USD dhe për pastrim të miliona USD, flenë të patrazuara.
Reagimi i Ramës:
Pas një këngëtari ja edhe një poete, që dënohet me zell nga pikërisht Prokuroria e Tiranës, ku dosjet e denoncimeve nga organet shtetërore për ndërtime të paligjshme për qëllim fitimi apo për evazion fiskal me miliona USD dhe për pastrim të miliona USD, flenë të patrazuara!
Patjetër që çdo ndërtim pa leje është i dënueshëm me ligj, po zelli milimetrik në dënimin e atyre që e shkelin ligjin në pronën e tyre të bën për të vjellë përballë mosveprimit sistematik të Prokurorisë së Tiranës ndaj atyre që për qëllime fitimi bëjnë shkelje kilometrike!
Tamam “mbretëri xhuxhash” ai organ drejtësie me të dobëtit dhe dobësie me të fortët!