Gazin për “votën” kundër Armenisë

15 November 2022, 14:59Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Gazin për “votën” kundër Armenisë
Në foto: Bajram Bega dhe presidenti i Azebarxhanit, Ilham Alizev

Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj në takimin e parë që zhvilloi me homologun e tij të Azerbajxhanit Ilham Aliyev nënvizoi rëndësinë që ka projekti i gazsjellësit TAP për Shqipërinë, e cila si vend tranzit, synon të kthehet edhe në një vend përfitues të transmetimit të gazit.

Begaj i kujtoi presidentit Aliyev mbështetjen e Shqipërisë  ndaj vendit të tij në arenën ndërkombëtare qoftë edhe në konfliktin me Armeninë. Presidenti Aliyev shfrytëzoi vizitën e tij të parë në Tiranë për të sulmuar qeverinë e Armenisë dhe për të deklaruar bashkëpunimin me vendin tonë në një sërë sektorësh jetikë.

'Diskutuam mbi propozimin e palës azerbajxhane për hapjen e Ambasadës në vendin tonë. Ky është një propozim që ne e mirëpresim dhe e vlerësojmë si shenjë të konsolidimit të marrëdhënieve dhe nevojë për të përshpejtuar ritmin e bashkëpunimit si dy vende mike.

Kreu i shtetit tha se pjesë e bisedës ishte nevoja e mbajtjes së Komisionit të Përbashkët Ekonomik në vitin 2023, si instrumenti më i mirë politiko-teknik për të vendosur piketat konkrete të bashkëpunimit dhe programuar vazhdimësinë për vitet e ardhshme. Shqipëria, si vend tranzit në kuadër të TAP-it, synon të kthehet edhe në një vend përfitues të transmetimit të gazit, tha Begaj

Në kuadër të bashkëpunimit me BE-në, Shqipëria dhe gjithë vendet e Ballkanit duhet të krijojnë infrastrukturën e gazifikimit dhe kapacitetet e nevojshme deri në vitin 2030. Kështu, procesi i gazifikimit të Shqipërisë hap mundësi të reja bashkëpunimi.

Begaj i kujtoi homologut azer se Tirana ka qenë gjithmonë mbështetëse ndaj integritetit territorial të Azerbajxhanit në arenën ndërkombëtare.

Dhe në këtë kontekst, Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, lëshoi akuza të forta ndaj Armenisë, e cila sipas tij shpërfill prej dekadash rezolutat ndërkombëtare për territorin e Nagorno-Karabakh.

'Kjo mbështetje ka qenë gjithmonë e ndërsjellë. Ne e vlerësojmë fort këtë mbështetje. Qoftë në fazën e pushtimit e po kështu edhe gjatë fazës së luftës në Nagorno-Karabakh, që si rezultat pati çlirimin e tokave të të parëve tanë dhe vendosjen e të drejtave ndërkombëtare. Ju referuat rezolutat e OKB-së.

Më duhet të them që ato janë miratuar prej 27 vitesh, por nuk janë zbatuar. Armenia nuk i ka zbatuar kurrë, në fakt i ka shpërfillur ato dhe komuniteti ndërkombëtar thjesht ka mbyllur sytë ndaj kësaj. Nuk ka pasur asnjë sanksion të vendosur kundër Armenisë pavarësisht kërkesave tona.

Marrja e 20% të territorit azerbajxhanas ishte një krim, një vendosje e paligjshme në territorin azerbajxhanas. Këto toka ishin bërë të pajeta. Nga 67 xhami, 65 janë shkatërruar. Dhe aty kanë mbajtur kafshë dhe kjo ka lënduar ndjenjat e popullit azerbajxhanas.

Ne duhet të vendosnim drejtësi dhe tashmë flamuri azerbajxhanas valëvitet në këto toka dhe jeta po kthehet aty. Natyrisht për njerëzit tanë, vendin tonë, është edhe mbështetja e vendit tuaj për ne. Iu jam vërtet mirënjohës për këtë mbështetje', u shpreh presidenti i Azebarxhanit Ilham Alizev.

 


Video