Sali Berisha, ngritjen e akuzave ndaj ish zyrtarit të lartë të kundrazbulimit të FBI-së, Charles Mcgonigal e ka kthyer në një kalë beteje të aksionit opozitar përmes të cilit synon rrëzimin e Edi Ramës nga pushteti.
Që prej momentit kur ky zhvillim u bë publik në SHBA, nga selia blu dhe studio televizive zoti Berisha, me detaje ka bërë radiografinë e ngjarjes dhe të personazheve.
Janë me qindra deklarimet e Sali Berishës përmes të cilave ai ka artikuluar akuza për personin përmendur në aktakuzën ndaj ish-zyrtarit të FBI-së si personi B, Dorian Duçka.
Por me shumë mjeshtëri Sali Berisha, ka fshehur miqësinë mes të birit Shkëlzen Berisha dhe Dorian Duçkës.
Kjo foto e siguruar nga Top Channel tregon Shkëlzen Berishën bashkë me Dorian Duçkën, në bordin e një avioni krah për krah në një prej udhëtimeve të tyre të biznesit
Fotoja është një dëshmi e fortë e lidhjes së Shkëlzen Berishën me Dorian Duçkën, i kthyer në subjekt akuzash të shumta ditët e fundit nga Sali Berisha.
Pritet me interes se çfarë qëndrimi do të mbajë Sali Berisha për këtë foto, e cila fakton lidhjen e të birit Shkëlzenit me Dorian Duçkën, njeriun të cilin, ai e akuzon si strumbullarin e përpjekjeve bashkë me Edi Ramën për të shkatërruar opozitën./TCH
Reagon Shkëlzen Berisha: Si qëndron e vërteta e fotos
Ndërkohë që ka ardhur edhe reagimi i Shkëlzen Berishës pas fotos së publikuar nga Top Channel. Djali i ish-kryeministrit Berisha thotë se udhëtimi është bërë para shumë vitesh dhe se ka qenë Duçka që ka insistuar për të bërë me të një selfie.
Reagimi i Shkëlzen Berishës:
Qëllimi i udhëtimit tim të bërë para disa vjetësh, nuk ka pasur asgjë të përbashkët me sekserin e Ramës përveç ulëses afër në avion dhe insistimit të tij për të bërë një selfie, si shumë të tjera, që më kërkohen nga njerëz të njohur dhe të panjohur.
Të zënë me presh në dorë në një histori korruptive me përmasa ndërkombëtare që ka zënë prej ditësh titujt e mediave më të mëdha të botes, Rama dhe Duçkat e kësaj afere kanë zgjedhur të përgjigjen në mënyrën më qesharake duke postuar foto.
Në të vërtetë Rama dhe Duçkat në SHBA nuk po hetohen për foto, por sepse në bashkëpunim kanë korruptuar me fusha nafte dhe qindra mijëra dollarë, drejtorin e kundërzbulimit të FBI për ta përdorur si instrument kundër opozitës dhe pluralizmit politik në Shqipëri!
Në fakt këto foto shërbejnë për ta, si certifikate miqësie apo pastërtie, shumë më pak nga sa do shërbenin le të themi, fotot e Sajmir Tahirit me Barack Obamën në zyrën ovale.
Sidoqoftë, për të sqaruar opinionin më duhet të theksoj se, në ndryshim nga Rama dhe sekserët e tij, unë nuk udhëtoj në avion privat dhe për rrjedhojë në një avion linje, njëlloj si në një urban publik, udhëtarët dhe vendet e tyre nuk i zgjedh dot unë. Qëllimi i udhëtimit tim të bërë para disa vjetësh, nuk ka pasur asgjë të përbashkët me sekserin e Ramës përveç ulëses afër në avion dhe insistimit të tij për të bërë një selfie, si shumë të tjera, që më kërkohen nga njerëz të njohur dhe të panjohur.
Uroj dhe shpresoj që kur të pyeten nga hetuesit e FBI, Rama dhe Duçkat të kenë argumente më bindës për “pafajësinë” e tyre. Suksese!