
Hetimet e palës italiane ndaj grupit të Habilajve në Itali kishin nisur që në 2013-n, ku u ishin vënë në përgjim telefonat. Nga transkriptet e bëra nga pala italiane personat e vënë nën përgjim flisnin edhe për lidhjet e forta që kishin në policinë dhe Ministrinë e Brendshme, madje deri te ministri.
Dokumenti i policisë italiane e përmend ish-ministrin e Brendshëm Sajmir Tahiri si gjatë përgjimeve, ashtu edhe gjatë komenteve në tre raste. Në njërin rast, (faqja 100), dy të dyshuarit, Moisi Habilaj dhe Sabaudin Çelaj diskutojnë me njëri-tjetrin se çfarë ka më shumë se sa ata Saimir Tahiri. Moisiu beson se Saimiri ka bërë 5 milionë euro brenda një muaji, ndërsa Çelaj thotë se këto janë para të parëndësishme për të pasi atij 20 milionë nuk i mjaftojnë në një fushatë elektorale. Në kohën e zhvillimit të kësaj bisede, 16 dhjetor 2013, Tahiri kishte vetëm tre muaj në postin e Ministrit të Brendshëm, por ai pati qenë deputet që nga viti 2009.
Në rastin tjetër, (f 93) Moisiu thotë se ka blerë dy byzylykë, një për gruan e Saimirit dhe një për nënën. Sabi pyet se sa kanë kushtuar. Moisiu thotë: 2 mijë euro. Në rastin e tretë, (f. 193-194) policia italiane shënon se më 3 mars 2014, Moisi Habilaj dhe Sabaudin Çelaj patën mbërritur në Sicili me makinën A8, nën pronësinë e Saimir Tahirit. Ata u kthyen në Shqipëri më datë 24 mars po me makinën e Tahirit.
Në rastin më problematik për Tahirin, ai përmendet si përfitues i mundshëm i një shume parash nga trafiku i drogës. Betejën me këto akuza, Saimir Tahiri e ka nisur që në 2017, në kulmin e karrierës së tij kur kishte 4 vite ministër i Brendshëm, më jetëgjati në 30 vite tranzicion në këtë post.
Në 2017, ai u rizgjodh deputet, por u detyrua të largohej me dorëheqje nga Parlamenti në maj 2018, për t’u përballur “si qytetar i thjeshtë” me akuzat e Prokurorisë për implikim të tij në trafikun e drogës së kryer nga grupi i Habilajve. Fill pas kësaj, prokuroria për krimet e rënda kërkoi arrestimin e tij.
Prokuroria e akuzoi Tahirin për trafik të narkotikëve dhe kërkoi arrestimin e tij, por shumica parlamentare socialiste e bllokoi kërkesën për arrestim. Tahiri kaloi një periudhë të shkurtër në arrest shtëpie, derisa më pas Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda lejoi hetimin e tij në gjendje të lirë, hetim i cili u mbyll në vitin 2019.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.