Donte të vinte vetulla, nxori sytë! Kalvari gjyqësor i Saimir Tahirit

4 February 2022, 19:26Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Donte të vinte vetulla, nxori sytë! Kalvari gjyqësor i Saimir

Saimir Tahiri ka hyrë në historinë e pushtetarëve të 30 viteve tranzicion shqiptar dy herë, një herë kur u bë ministri i Brendshëm më jetëgjatë i këtyre tre dekadave, rekord që e mban ende dhe herën e dytë këtë të premte kur u dënua me 3.4 vite burg.

Saga e Saimir Tahirit me drejtësinë nisi zyrtarisht thuajse tre vite më parë, kur u mor i pandehur në fund të shkurtit 2019-të nga prokuroria për krimet e rënda me akuzat e shpërdorimit të detyrës, pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe trafik droge në kuadër të organizatës kriminale.

Akuzat buruan pas shpërthimit të skandalit të përgjimeve të grupit të Habilajve, që u arrestuan në Itali. Në dosjen voluminoze të përgjimeve që policia italiane administroi kundër tyre, në bisedat e telefonike mes tyre dilte edhe emri “Saimir” dhe “njeri i pushtetshëm”.

Saimir Tahiri nuk i mohoi lidhjet fisnore me Moisi Habilajn, por mohoi dhe vazhdon të mohojë akuzën se ishte i përfshirë në trafikun e drogës, qoftë edhe duke favorizuar kushërinjtë përmes postit të ministrit të Brendshëm.

Provat nisën të rrjedhin në publikun njëra pas tjetrës dhe njëra prej tyre edhe fakti që Habilajt kishin udhëtuar e shfrytëzuar makinën e Saimir Tahirit për të shmangur kontrollet policore. Saimir Tahiri u justifikua duke thënë se makinën ua kishte shitur, por ajo figuronte ende në emër të tij, sepse ja kishte bllokuar përmbarimi për shkak të një procesi gjyqësor që kishte të hapur me opozitën.

Në fund të shkurtit 2019-të, Krimet e Rënda fituan betejën e nisur që në 2017-të për ta marrë zyrtarisht të pandehur. Procesi gjyqësor u mbyll në shtator të 2019 dhe Saimir Tahiri u dënua nga Gjykata e Krimeve të Rënda vetëm për akuzën e “shpërdorimit të detyrës” duke e dënuar atë me 5 vite heqje lirie, dënim i pezulluar dhe konvertuar në 3 vite shërbim prove.

Gjykata ndërkohë e shpalli të pafajshëm Saimir Tahirin për akuzat e ngritura nga Prokuroria, “trafikim të lëndëve narkotike” në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “kryerjen e veprave penale në kuadër të grupit të strukturuar kriminal” dhe “pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”.

Tahiri u shfaq i pakënaqur, po ashtu si prokuroria për krimet e rënda. Që të dyja palët e apeluan vendimin. Çështja këtu u zvarrit dhe në fund të 2019-s u krijuan institucionet e reja të drejtësisë, ku krimet e rënda u transformuan në SPAK dhe gjykata për krimet e rënda në Gjykatë të Posaçme.

Dosja kaloi në Apelin e Posaçëm, që vendosi lënien në fuqi të këtij vendimi. SPAK dhe vetë Tahiri bënë rekurs në Gjykatën e Lartë. Me t’u plotësuar kuorumi në këtë trupë, dosja u shqyrtua dhe u vendos vitin e kaluar që ajo të rikthehej për rigjykim në gjykatën e apelit me të njëjta prova.

Pas shtyrjes së seancave disa herë, këtë të premte kjo gjykatë vulosi vendimin, por nëse të gjithë vendimet e mëparshme ja konvertonin ditët e burgut në shërbim prove Saimir Tahirit, ky vendim e mbyll në qeli për 3.4 vite.

Pra, Saimir Tahiri u nis për të vënë vetulla në të gjithë procesin ankimues dhe nxorri sytë, siç thotë një shprehje popullore. Ai ka nisur ta vuajë dënimin që këtë të premte, ndërsa avokati paralajmëroi se do të bëjë rekurs në Gjykatën e Lartë. Por, çështja duket e humbur ende pa u dërguar, sepse Gjykata e Lartë e kaloi nëpër duar një vendim për dosjen “Tahiri”.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video