Komisioni i Pavarur i Kualifikimit pretendon se transparenca mbi emrin e sponsorit privat që financoi një aktivitet të zhvilluar në resortin luksoz “Marina Bay” në Vlorë në fund të shtatorit të vitit të kaluar do të cenonte ‘sigurinë kombëtare”, sipas një kërkese padie që KPK ka bërë ndaj Komisionerit për të Drejtën e Informimit.
Në kundërshtim të vendimit të Komisionerit për ta bërë publik emrin, KPK ka listuar gjithashtu si argumente cenimin e procesit të vetingut të magjistratëve, të marrëdhënieve ndërkombëtare si dhe të imazhit të vetë KPK-së dhe partnerëve ndërkombëtarë.
Në fund të shtatorit, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit pranoi donacione nga një sipërmarrje private për të zhvilluar një aktivitet të titulluar “Raport dhe Strategji” në resortin luksoz “Marina Bay” në qytetin e Vlorës.
Aktiviteti u zhvillua më 30 shtator, por dymbëdhjetë komisionerët e KPK-së dhe tre pjesëtarë të stafit administrativ u akomoduan në hotel për dy net fjetje dhe u kthyen në Tiranë më 1 tetor. Të pranishëm në aktivitet ishin edhe tre vëzhgues të ONM-së, por ndryshe nga Komisionerët ata nuk u akomoduan në resortin luksoz.
Komisioni e quan të mjaftueshme dhënien e kopjes së marrëveshjes pa emrin e sponsorit, duke pretenduar se në këtë rast prevalon interesi më i lartë “i sigurisë kombëtare”, nga e drejta e informimit.