
Në Ditën Botërore të Luftës Kundër Kancerit, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka prezantuar Programin Kombëtar të Kontrollit të Kancerit 2021-2031, në një konferencë me pjesëmarrje të strukturave shëndetësore, specialistë të fushës dhe partnerë vendas dhe ndërkombëtarë.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu në fjalën e mbajtur tha se vizioni i këtij programi është që në 10 vite të kemi më pak të sëmurë me tumore, më shumë jetë të shpëtuara dhe më shumë kujdes dhë mbështetje për të sëmurët me tumore dhe për familjet e tyre.
Duke theksuar se janë bërë hapa përpara përsa i përket parandalimit dhe diagnostikimit të hershëm të tumoreve, ky program i ri parashikon dhe një seri ndërhyrjesh të tjera, duke përfshirë për herë të parë financimin e vaksinës HPV për parandalimin e kancerit të qafës së mitrës.
“Programet tona të depistimit të hershëm të kancerit të gjirit kanë ecur përpara në sajë të investimeve që janë bërë dhe përpjekjeve maksimale për mbulimin universal, nëpërmjet investimit të gjithë rrjetit të mamografive tashmë në çdo spital rajonal. Fokusi në këtë 10 vjeçar do të jetë rritja e mbulesës së përqindjes së grave që bëjnë këtë ekzaminim, e cila është jetëshpëtuese për çdo grua. Një tjetër komponent në këtë program që ne duam që ta jetësojmë në 3-vjeçarin e ardhshëm, është përfshirja e vaksinës HPV në programin tonë kombëtar. Besoj që me këtë, do t’i japin edhe një nivel të ri të gjithë sistemit të parandalimit primar”, tha Manastirliu.