Kopshti ku vdiq tragjikisht 3-vjeçari, me shkelje të rënda. Ministria e Arsimit e mëson vetëm pas tragjedisë

3 February 2022, 16:37Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Kopshti ku vdiq tragjikisht 3-vjeçari, me shkelje të rënda.
Kopshti
Flatrat e Dijes në Fier

Kopshti privat “Flatrat e Dijes” në qytetin e Fierit, aty ku vdiq ende në rrethana të paqarta një 3-vjeçar nuk plotësonte kriteret për të ushtruar këtë aktivitet dhe Ministria e Arsimit “e mësoi” këtë vetëm pas tragjedisë.

Një urdhër i firmosur nga ministrja Evis Kushi e mbylli këtë kopsht pas kontrolleve të bëra nga një grup pune i Ministrisë së Arsimit.

Nga inspektimi u gjet se kopshti nuk ka drejtues didaktit, nuk kishte licencë për çerdhe, me personel pa arsimin përkatës, nuk plotësonte kriteret për kushtet infrastrukturore sipas udhëzimeve të ministrisë, ka regjistruar dhe pranuar fëmijë mbi numrin maksimal të përcaktuar nga Ministria e Arsimit dhe ofronte këtë shërbim pa kontrata me prindërit.

Për të gjitha këto arsye, që Ministria e Arsimit i zbuloi vetëm pas vdekjes tragjike të 3-vjeçarit në këtë kopsht privat është vendosur heqja e licencës së tij.

I mituri ndërroi jetë thuajse një muaj më parë dhe sipas dëshmisë së edukatores së kopshtit, ai ishte mbytur teksa përpiqej të merrte xhupin e vet te varëset e kopshtit.

Prindërit e të miturit e rrëzojnë këtë pretendim, duke deklaruar se varëset e xhupave janë shumë poshtë dhe nuk mund të mbajnë pesha të mëdha. / Voxnews.al


Video