PD zhvillon sot protestën kombëtare përpara Kryeministrisë

22 December 2025, 08:29Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
PD zhvillon sot protestën kombëtare përpara Kryeministrisë
Sali Berisha

Partia Demokratike zhvillon sot, më 22 dhjetor, protestën shumë të paralajmëruar kombëtare, përpara godinës së Kryeministrisë, ku kërkon dorëheqjen e kreut të qeverisë, Edi Rama.

Tubimi është paralajmëruar të nisë në orën 18:00 në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe pritet të ketë një pjesëmarrje më të madhe të mbështetësve të opozitës, në krahasim me pesë protestat e mëparshme, të zhvilluara në formën e një “foltoreje”.

Gjatë fundjavës që lamë pas, eksponentë të ndryshëm të PD-së, mes tyre Flamur Noka, Albana Vokshi, Jola Hysaj, Klevis Balliu dhe Elda Hoti, kanë zhvilluar takime të shumta me qytetarë në zona të ndryshme të vendit, duke i ftuar ata të marrin pjesë në protestën e sotme, e cila konsiderohet nga ata si një moment kyç në aksionin opozitar kundër qeverisë.

Protesta e sotme vjen pas deklaratave të forta të kreut të PD-së, Sali Berisha, i cili më 20 dhjetor paralajmëroi se kjo do të jetë vetëm fillimi i një rezistence më të gjerë për rrëzimin e qeverisë Rama. Në një komunikim me mbështetësit e tij, Berisha nuk përjashtoi as nisma të tjera paralele, përfshirë akte ekstreme të ngujimit apo edhe qëndrimin e deputetëve në Parlament.

Një ditë përpara protestës, autoritetet kanë nisur masa të shtuara sigurie në ambientet përreth Kryeministrisë. Ditën e djeshme, në fasadën përballë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” janë vendosur mburoja metalike, me qëllim mbrojtjen e institucionit nga incidente të mundshme gjatë tubimit.

Punonjës shërbimi janë parë duke montuar strukturat metalike. Edhe pse autoritetet nuk kanë bërë ende një njoftim zyrtar për planin e plotë të masave të sigurisë, përgatitjet në terren tregojnë një gatishmëri të lartë të forcave të rendit.

Protesta e sotme pason një seri tubimesh të zhvilluara gjatë javëve të fundit. Më 15 dhjetor, PD zhvilloi protestën e pestë radhazi përpara Kryeministrisë, e organizuar në formën e një “foltoreje”, ku deputetë, përfaqësues të opozitës dhe qytetarë adresuan akuza dhe denoncime ndaj qeverisë së Edi Ramës. 

Protesta e 22 dhjetorit shihet nga opozita si një hap i radhës drejt intensifikimit të aksionit politik kundër qeverisë.


Video