Eksponentë të Partisë Demokratike kanë dalë në mbrojtje të pronarit të News24, Irfan Hysebelliu, pasi atij po i prishen dy pishina nga IKMT në resortin "Prestige", me argumentin se janë pa leje.
Nënkryetari i PD-së, Luçiano Boçi thotë se Rama po e sulmon Hysenbelliun sepse mediat e tij janë "realiste dhe profesionale".
"Një sulm i pastër politik e jo vetëm, për shkak të qëndrimeve realiste dhe profesionale të mediave News 24, Panorama dhe Gazeta Shqiptare për aferat e qeverisë, Edi Rama urdhëron prishjen e një pjese të resortit në pronësi të botuesit I.Hysenbelliu", shkruan Boçi.
Më pas ishte vetë Berisha që e cilësoi prishjen e pishinave të Hysenbelliut si "sulm politik". Por, ndryshe nga qëndrimi i sotëm i PD, që flet për media të lirë dhe profesionale, pak kohë më parë, në Shkurt 2022, Sali Berisha e denonconte Hysenbelliun dhe mediat e tij, si të kapura nga qeveria dhe të paguar nga paratë e inceneratorëve, shkruan TPZ.
"Te specializuar per manipulim provash dhe genjeshtrash, ja si mashtron opinionin per llogari te njeriut qe genjen dhe kur fle, Irfan Hysenbelliu, kapterri i Taulant Balles qe financion mediat me parate e inceneratoreve!", shkruante Berisha në Shkurt 2022.
Pra brenda pak muajve sipas opozitës, mediat e Irfan Hysenbelliut kaluan nga "të kapura nga qeveria dhe paratë e inceneratorëve" në "realiste dhe profesionale".
Hysenbelliu e konsideron prishjen e pishinave si politike, por Ministria e Brendshme pretendon se ato janë pa leje dhe se Hysenbelliu po përdor mediat e tij për të mbrojtur paligjshmërinë.