
Shënim - Sali Berisha deklaron se opozita nuk është vula, që ai juridikisht s’e ka. Opozita, sipas qëndrimeve të ish-Kryeministrit të vetëshpallur ‘opozitar i vërtetë’ është parimore. Por, a është vërtet parimor Sali Berisha?
Për të vërtetuar se Berisha nuk është as parimor dhe as opozitar i vërtetë nuk është e nevojshme që të kthehemi shumë pas në kohë. Mjafton konferenca e përjavshme për shtyp e tij përballë gazetarëve këtë të premte.
Në këtë konferencë, ende pa u mbushur 24 orë nga bastisja prej SPAK të banesave të ish-bashkëshortes Albina Mançka dhe Erjola Hoxhës, partneres aktuale të Arben Ahmetajt, Berisha vendosi ta marrë në mbrojtje.
Çuditërisht, njeriu që sipas të gjitha indicieve dhe provave që kanë dalë nga dosja e inceneratorit të Elbasanit konsiderohet si koka e të gjithë koncesionit, atë që s’e gjeti nga Edi Rama e gjeti nga Sali Berisha; mbrojtjen.
Edi Rama e kërcënoi të enjten, duke i kthyer përgjigje se nëse do të ishte ai gjykatës, gjërat do të ishin shumë herë më keq për të, ndërsa ironikisht Sali Berisha e mori nën ‘patronazhim’ ish-ministrin, duke shpërfillur provat që e kategorizojnë atë si ‘peshkaqen të korrupsionit’.
Por, nuk është vetëm Sali Berisha. E gjithë e vetëquajtura opozita e vërtetë përfshirë këtu edhe Ilir Metën e Monika Kryemadhin, që akuzojnë Lulzim Bashën e Enkelejd Alibeaj se janë pengje të Edi Ramës, ironikisht vetë po tregon se është peng e Arben Ahmetajt.
Veç në këtë përfundim mund të arrihet për një opozitë që ka ngritur akuza e denoncuar se si është abuzuar me paratë publike, duke përmendur shifra deri në 430 mln euro, por duke mos përmendur emrin e atij që gjitha provat e indiciet të çojnë në përfundimin se ka qenë koka e tyre.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.