Presidenti i ri i Republikës, Bajram Begaj ka zhvilluar ditën e sotme një takim me presidentin aktual Ilir Meta. Ky takimi vinte pasi Begaj ka takuar më herët dhe disa prej ish-presidentëve të tjerë.
Ka qenë Meta, ai i cili e ka bërë me dije takimin me pasardhësin e tij në krye të Presidencës, teksa ka publikuar disa foto me Begajn në rrjetet sociale.
Takimi mes Ilir Metës dhe Bajram Begaj është është zhvilluar në ambientet e Pallatit te Brigadave. Në takim ka qenë edhe shefi i kabinetit të Presidentit Meta, Edmond Panariti.
"Kënaqësi të prisja sot Presidentin e zgjedhur, z.Bajram Begaj dhe t'i uroja sërish suksese në detyrën e lartë, që e pret në interes të vendit dhe të gjithë qytetarëve." shkruan Meta krahas fotove.
Kujtojmë se Meta firmosi në Stamboll dekretin për lirimin e Bajram Begajt nga posti i shefit të Shtabit të Përgjithshëm të FA-së, duke mos e penguar që ai të zgjidhej president.
