Para ministrisë së Brendshme është zhvilluar protesta e organizuar nga shoqëria civile për vdekjen e vogëlushes Jonada Avdia, e cila humbi jetën dy ditë më parë, ndërsa lahej në det pasi u përplas nga një skaf i fuqishëm që drejtohej nga një polici Arian Tase.
Protestës së shoqërisë civile nën moton “Nuk e vrau varka, por shteti” i janë bashkuar edhe mbështetës të opozitës.
Protestuesit kërkojnë përveç dënimit maksimal për autorin e ngjarjes dhe dorëheqjen e ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi dhe asaj të Turizmit, Mirela Kumbaro.

Por sapo kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha dhe ai Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i janë bashkuar protestës para Ministrisë së Brendshme, një pjesë e qytetarëve janë larguar, ndërsa pjesa tjetër është drejtuar për te Kryeministria.
Gjatë fjalës për mediat, Berisha kërkoi dorëheqjen e ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi. Madje sipas kreut të PD, Çuçi duhet ta kishte dhënë më parë dorëheqjen.
Berisha shoqërohej nga Luçiano Boçi, Flamur Noka, Albana Vokshi dhe Belind Këlliçi.