Opozita po zhvillon protestën e saj kombëtare sot në Tiranë. Në protestën e organizuar sot nga opozita nuk kanë munguar pankartat e shumta ku shigjetohet kryeministri Edi Rama. Por një grup të rinjsh kanë zgjedhur të protestojnë me një mënyrë tepër të veçantë, duke marrë me vete në sheshin para kryeministrisë një gomone me flamurin e Mbretërisë së Bashkuar, si simbol i krizës së emigrantëve shqiptarë që kalojnë La Manshin për të mbërritur në Britaninë e Madhe.
Opozita ka akuzuar disa herë Ramën si përgjegjës për ikjen e shqiptarëve gjatë këtyre viteve. Sipas shifrave të Ministrisë së Brendshme Britanike, rreth 12 mijë shqiptarë kanë ikur me gomone në Angli këtë vit, një pjesë e madhe meshkuj të rinj.
Të shtunën në Londër mijëra shqiptarë protestuan kundër etiketimeve negative ndaj shqiptarëve. Ndërsa Kryeministri Edi Rama i quajti “ulërima nga një çmendinë” fjalimet e qeveritarëve britanikë.
Ndërsa Ilir Meta iu kërkoi qytetarëve të bashkohen për të rrëzuar regjimin e Edi Rama.
Meta u shpreh se atmosfera është demokratike dhe kërkoi që askush të mos provokojë protestuesit.
“Jemi atje duke u bashkuar me prindër e fëmijëve të cilët shpirtziu u mbylli shkollën. U bëjmë thirrje të bashkohen të gjithë në shesh që t’i japim fund këtij regjimi i cili dhe buxhetin e vitit të ardhshëm e ka bërë për të vjedhur në kurriz të të gjithë shqiptarëve. Vendos të vejë taksa mbi biznesin për të paguar luksin e jashtëzakonshëm, Atmosfera është paqësore dhe demokratike. Mesazhi është i qartë. Askush nuk duhet të guxojë të provokojë. Rama vjedh çdo sekondë shqiptarët pa qenë nevoja të jetë në Shqipëri”