Analisti Mustafa Nano dhe avokatja Migena Balla kanë debatuar në MCN lidhur me të drejtat e myslimanëve në Shqipëri.
Balla i konsideroi ateistët që kanë ndikim si njerëz të rrezikshëm, ndërsa theksoi se myslimanët janë shumicë në Shqipëri dhe sërish diskriminohen. Nano e konsideroi frazën “shumicë” si të rrezikshme dhe që nxit dhunë.
DEBATI
Balla: Në rast se Nano mendon se po përfaqëson një pjesë të publikut që ndihet i dhunuar nga zënia e hapësirës publike, vet z. Nano me myslimanët që fton a i është ankuar dikush për dhunim. Ateist si z.Nano do të doja të ishin të gjithë ateistët. E keqja e botës vjen nga ndikimi që kanë ateistët. Për sa kohë që s’ka pushtet që ateizmin e tij ta implementojë në ligj, është i parrezikshëm.
Nano: Pse ateistët janë gjëja më e rrezikshme?!
Balla: Sepse një njeri që s’ka respekt për Zotin mund të bëjë gjithçka…Ju nuk mund të kufizoni një të drejtë kushtetuese që është ushtrimi i fesë në publik. Komunizmi ka mbaruar. Këtë do të doja ta bënit me njerëz që me paradat e tyre sjellin shkatërrim prone, siç ishte rasti i tifozëve. Në s’jemi ankuar që për Krishtlindje na zaptohet sheshi “Skënderbej”. Nuk jemi të shqetësuar që në mediat urohet Krishtlindja dhe diskriminohen fetë e tjera. U dekorua Tirana për një ndeshje futbolli, për Ditën e Verës, Shën Valentinin, për ne që jemi shumicë…!
Nano: Kjo është frazë e rrezikshme fraza që “jemi shumicë”. Shumica i duhet politikës, jo juve.