Deputeti Ervin Salianji, ka ngritur një shqetësim në Komisionin e Sigurisë Kombëtare, që ka të bëjë me ekstradimin e kriminelëve shqiptarë që siç tha ai jetojnë të lirë në Dubai.
Salianji kërkoi qe qeveria shqiptare të përshpejtojë dhe të arrijë në një situatë për të zgjidhur cështjen e esktradimit të kriminelëve që jetojnë, madje drejtojnë edhe grupet nga Dubai.
“Në Shqipëri kërcet pushka, ndërsa në Dubai hapet shampanjë”, tha Salianji duke shtuar se “Krerët e grupeve kriminale që janë në kërkim nga policia e shtetit dhe nuk kapen dot flitet që janë aty, disa janë liruar me vendim gjykate. Ka mundësi Shqipëria që ti sjellë këta? Apo qeveria shqiptare është e interesuar që për shkak të bashkëpunimit politike që ka me ta të kenë një parajsë ku të jetojnë të paprekur nga ligji dhe institucioni i shtetit”.
Në komision u diskutua projekti ligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Emirateve të Bashkuara Arabe, për bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe luftës kundër terrorizmit”.