Meta reagon nga burgu: Po më ndalojnë të flas me gazetarët, nesër do bëj një letër publike për Arben Ahmetaj

2 July 2025, 20:57Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Meta reagon nga burgu: Po më ndalojnë të flas me gazetarët,
Ilir Meta dhe Arben Ahmetaj

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka bërë një tjetër reagim nga burgu.

Meta thotë se autoritetet e burgut po e ndalojnë të flasë me gazetarët, duke nxjerrë sipas tij pretekste, që ka thyer rregulloren.

Sakaq, ai thotë se sot arriti të takonte pas 20 ditësh motrën e tij me dy vajzat, por që autoritetet, sipas tij ndaluan në takim djalin e motrës së tij.

Për këtë arsye, Meta ka vendosur një formë tjetër komunikimi me publikun: me letra të hapura.

Letra e parë e Ilir Metës do të jetë për Arben Ahmetajn që ndodhet në arrati.

Reagimi i plotë i Ilir Metës:

Të dashur miq,

Sot u thirra sërish para një Komisioni Disiplinor, si gjyq ushtarak, për një gabim “shumë të rëndë”: Dje dhashë një intervistë në mesditë për gazetaren Aida Tancica në MCN TV, nga telefoni i Avokatit tim, Kujtim Cakrani.

Kur herën e parë fola me gazetaren Beti Njuma, më thanë ke shkelur rregulloren se ke folur pas orës 20:00, ndërkohë sot u thirra nga “Disiplina” për arsyen e vërtetë, se nuk duan të komunikoj me gazetarët.

Çfarë dallkaukësh! Mirë që ping-pongun ma kanë ndaluar, por tani duan të më ndalojnë edhe lirinë e fjalës.

Nuk mbaron me kaq.

Po sot, më në fund pas 20 ditësh, më lanë të takohesha me motrën dhe dy nga tre fëmijët. U mërzita fillimisht kur në takim pashë vetëm motrën dhe dy vajzat, por jo djalin.

Më sqaruan se Besi po priste jashtë se rregullorja nuk lejon më shumë se 3 veta në takim, kur ndërkohë gjatë 8 muajve, në një takim në javë që kam bërë me familjarët, siç do i paraburgosur tjetër, i kam takuar të 4-ët bashkë.

Në këto kushte, kur masat represive përforcohen çdo ditë me "risi", kam vendosur të realizoj një formë të re komunikimi me publikun, me letra të hapura.

Nesër, letra e parë e hapur, do të jetë për z. Arben Ahmetaj.


Video