“Partia e Lirisë do të pagëzohet si Partia e Referendumeve shumë shpejt” Kështu shkruante Ilir Meta një ditë më parë për partinë e tij që pasi u “zhvesh” nga kostumi i Presidentit i ndryshoi emrin, por me godinën dhe njerëzit e njëjtë.
Fjala “Referendum” nuk i ka munguar asnjë fjalimi të tij që në ditët e fundit si kreu i shteti dhe deri më sot. Madje këtë temë e ka theksuar fort edhe një viti më parë se do bënte referendum për mbrojtjen e Kushtetutës, por edhe kjo si shumë fjalë të tjera të tij (si psh. se do jepte dorëheqjen nëse Rama fitonte zgjedhjen) nuk u mbajt.
Meta deklaron çdo ditë se do të mbajë Referendum, por se për çfarë nuk e ka deklaruar deri më sot.
Në kohen kur ishte President, Meta pretendonte se Referendumin do e mbante me firmat e 50 mijë shtetasve, të cilat duheshin çuar fillimisht në KQZ dhe më pas duheshin pranuar nga Gjykata Kushtetuese.
Tani, i bie që Meta ta bëjë me kërkesë të 1/5 të deputetëve dhe këtë gjë mund ta realizojë vetëm me ndihmën e Berishës, duke i dhuruar disa nga firmat e deputetëve të tij.
Por, Shqipëria nuk është se ka një histori të mirë me “demokracinë direkte”. Referendumi i fundit është realizuar në Tetor të vitit 1998 për ndryshimin e Kushtetutës së Republikës.
Në atë kohë, Sali Berisha dhe Ilir Meta ishin “armiq” politik dhe Berisha e ka akuzuar në atë kohë Metën si autorin e vjedhjes dhe manipulimin e referendumit. A do bashkëpunojë sot Berisha për të bërë referendum me dikë që dikur e ka akuzuar si manipulator të referendumeve?
Historia e referendumeve në Shqipëri
Në vendin tonë janë realizuar gjithsej tre konsultime të gjera popullore, referendumet kushtetuese në vitin 1994 dhe ai në vitin 1998, si dhe referendumi për zgjedhjen e sistemit qeverisës, i mbajtur në vitin 1997.
Referendumi kushtetues i vitit 1994
Në nëntor të vitit 1994 u zhvillua i pari referendum në historinë e shtetit shqiptar, referendumi për Kushtetutën. Mazhoranca e atëhershme, e përbërë nga Partia Demokratike dhe aleatët e saj ishin pro, ndërsa opozita që kishte në përbërje Partinë Socialiste, Partinë Socialdemokrate dhe aleatët e saj ishin kundër. Në votim morën pjesë 84,30 për qind e zgjedhësve, nga të cilët 53 për qind votuan kundër draftit kushtetues dhe 41për qind pro.
Referendumi për monarkinë në vitin 1997
Më 29 qershor 1997 u zhvilluan zgjedhjet parlamentare. Partia Socialiste me aleatët u shpallën fitues, ndërsa demokratët pësuan humbjen më të thellë të historisë së tyre. Në të njëjtën ditë u zhvillua edhe referendumi për formën e qeverisjes së vendit. Rezultati final përcaktoi se 65 e votuesve ishin pro republikës, rezultat ky i kontestuar fort nga Leka Zogu.
Referendumi Kushtetues i vitit 1998
Pas rotacionit politik të vitit 1997, mazhoranca e re, Partia Socialiste dhe aleatët e saj, nisën punën për Kushtetutën e parë demokratike të Shqipërisë. Në vjeshtën e vitit 1998 drafti ishte gati dhe vendi shkoi në referendum popullor. Opozita e djathtë deklaroi abstenimin dhe mospjesëmarrjen në zgjedhje, kurse mazhoranca votoi pro draftit kushtetues. Për pasojë, Kushtetuta e Shqipërisë u miratua me referendum më 21 tetor 1998 me votat pro të 93,5 për qind të zgjedhësve. Referendumi i fundit që është mbajtur në Shqipëri daton në vitin 1998 ku u vendos për Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë si edhe për formën e qeverisjes në vend ku u përcaktua se në Shqipëri do të kishte një sistem qeverisës të tipit Republikë Parlamentare.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.