Skalitja e Skënderbeut në një ndërtesë gjigante, nis puna në Tiranë për godinën shumëfunksionale

5 August 2022, 21:39Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Skalitja e Skënderbeut në një ndërtesë gjigante, nis
Projekti i godinës Skënderbeu

Studio arkitekturore MVRDV ka përfunduar projektin, ndërsa filluar ndërtimin për godinën Skënderbeu, e njohur zyrtarisht si Shkëmbi i Tiranës, një projekt multifunksional, që është skalitur në formën e Heroit Kombëtar.

Ndërtesa do të jetë e mbështjellë me ballkone të lakuar që formojnë formën e portretit të Skënderbeut, duke shërbyer si një pikë referimi ikonë në Sheshin Skënderbej në qendër të Tiranës. Pasi të përfundojë, projekti do të jetë një nga ndërtesat më të mëdha në botë e konceptuar si skulpturë figurative, duke i dhënë kryeqytetit shqiptar një identitet unik.

E ngritur 85 metra, godina multifunksionale ndodhet në këndin verilindor të sheshit. Në nivelin e rrugës, silueta e lakuar e ndërtesës mbush skajet e vendit. “Shpatullat” e Skënderbeut përputhen me pjesën më të gjerë të truallit, ndërsa koka e tij është e kthyer djathtas, përballë sheshit që mban emrin e tij.

Dizajnisigurohet duke përdorur ballkone që mbështjellin të gjithë ndërtesën në të gjitha nivelet, me zgjatime të lakuara që formojnë detajet e fytyrës si hunda, veshët dhe mjekra. Dizajni përfundimtar është një ndërhyrje delikate simbolike, e cila mund të mos jetë shumë e dukshme për njerëzit në shikim të parë.

Archdaily, faqe informative e specializuar për arkitekturën e artin në ndërtim shkruan se: “E përshtatur në mënyrë të përsosur në një qytet që ka zhvilluar një traditë të përzierjes së artit dhe arkitekturës si pjesë e rilindjes së tij postkomuniste, ndërtesa ofron banesa të dizajnuara mirë dhe funksionale në një nga vendet më të lakmuara në Tiranë”.

Ballkonet lejojnë që hapësirat e brendshme të ndërtesës të adoptojnë planimetri racionale të dyshemesë, ndërkohë që ofrojnë një sasi të konsiderueshme të hapësirës së jashtme. Brenda, ndërtesa përmban një kat për aktivitete tregtare dhe katër kate që do të shërbejnë si zyra. Më lart, 20 kate do të jenë apartamente banimi që zënë “kokën”. Apartamentet janë konceptuar me kujdes të veçantë që i kushtohet çdo planimetrie individuale për të siguruar që këto shtëpi të jenë funksionale pavarësisht formës së parregullt të ndërtesës.

Çdo ballkon do të jetë i ndarë me vazo gjigante të mbjella me bimë vendase, të cilat lejojnë gjelbërimin në zonën përreth të zgjerohet deri në ndërtesë, duke e bërë atë të adaptueshëm me klimën e ngrohtë të Tiranës. Për shkak të ballkoneve të gjera të varura, ndërtesa është e mbrojtur nga rrezet e tepërta të diellit dhe shtrirja e dyshemesë mundëson ajrim natyral të kryqëzuar. Sistemet e kapjes së ujit të shiut dhe rikuperimit të nxehtësisë minimizojnë kërkesat e ndërtesës për ujë dhe energji.

“Sot, qytetet në mbarë botën ngjajnë gjithnjë e më shumë me njëri-tjetrin – gjithmonë i inkurajoj që t'i rezistojnë kësaj, të gjejnë karakterin e tyre individual dhe ta theksojnë atë. Për mua, ndërtesa Skënderbeu është një mundësi për të bërë pikërisht këtë. Ajo u sjell kuptim të ri elementëve ekzistues të arkitekturës shqiptare. Ndërsa, Shqipëria fillon negociatat e saj për t'u anëtarësuar në BE, projekte të tilla si ky janë pjesë e Projektit Evropian. Projekti thekson historinë, karakterin dhe praninë e Shqipërisë në një Evropë të bashkuar me shumë shtete”, thotë Winy Maas, Partner themelues i MVRDV.



Video