Çfarë po e mban Berishën e Metën në Tiranë në mes të vapës së gushtit?

8 Gusht 2022, 17:59Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Ilir Meta dhe Sali Berisha

Shënim: Ky gusht është i pazakontë për Sali Berishën dhe Ilir Metën. I pari ka lënë rekordet e notit në Dhërmi, ndërsa i dyti rekordet e ngjitjes së maleve dhe në emër të kauzës antikorrupsion po ‘përvëlohen’ në vapën e Tiranës me konferenca shtypi thuajse të përditshme.

Për të gjetur një muaj pushimesh kaq intensive për të dy politikanët protagonistë të tre dekadave demokraci në vend duhet të kthehemi në fund të viteve ’90 dhe fillim të viteve 2000.

Në ato vite, Berisha organizonte mbështetësit e tubime, që kulmuan në shtator të ’98-s me tentativën e dështuar për grusht shteti pas vrasjes së Azem Hajdarit, ndërsa verërat e nxehta të Ilir Metës kulmonin me përplasjet e brendshme me Fatos Nanon.

Pavarësisht se në ato vite ishin kundërshtarë ‘të paepur’ të njëri-tjetrit lëvizjet e aksionet politike që ndërmerrnin i përbashkonte slogani ‘Shqipëria si gjithë Europa’. Këtë slogan e kanë rikthyer, edhe pse më të zbehtë në 2022-n dhe të rreshtuar që të dy në opozitës po akuzojnë se si Edi Rama është penguesi i integrimit të vendit në BE.

Lëvizjet e tyre politike janë rafinuar në krahasim me ato të dy dekadave më parë, por në thelb qëllimi e synimi i tyre është i njëjtë. Pse? Kur luftonin e përlesheshin 20 vite më parë, Sali Berisha e Ilir Meta e bënin me të njëjtin arsyetim.

Meta u largua nga PS dhe themeloi LSI-në ‘si formë pakënaqësie ndaj korrupsionit të Fatos Nanos’. Berisha me sloganin me ‘duar të pastra’ erdhi në pushtet në 2005 dhe qeverisi i vetëm deri në 2009, ndërsa Meta në këtë periudhë bëri opozitën e Berishës, por edhe opozitën e opozitës së Ramës.

Gjërat ndryshuan në 2009, kur pas atyre zgjedhjeve Berisha e ftoi Metën në koalicion. Të dy qeverisën së bashku për katër vite, para se Meta të hidhej në krahun tjetër në zgjedhjet e 2013-s. Por cili ishte bilanci i tyre? Në 8 vite, lufta antikorrupsion e tyre ishte më shumë një luftë me mullinjtë e erës.

Progresi i vendit në këtë drejtim mbeti sipërfaqësor dhe sa për ilustrim, rezultati më i mirë në hetimin e aferave të dyshuara korruptive të nivelit të lartë ishte vetëm dënimi i Spiro Kserës, ish-ministër i Punëve Sociale për abuzime me fondet sociale.

Dënime të tjera nuk pati, jo sepse nuk kishte abuzime, por sipas vendimit të SHBA që e shpalli non grata Berishën për shkak të ndërhyrjes së tij në sistemin e drejtësisë, siç akuzohet se ka ndodhur në rastin e hetimit të Ilir Metës pas videos e denoncimit të bërë nga i ndjeri Dritan Prifti.

Me këto hesape ende të pambyllura me drejtësinë, Sali Berisha dhe Ilir Meta i janë rikthyer këngës së vjetër të luftëtarëve të korrupsionit dhe kërkojnë tani një tjetër mundësi për të ardhur në pushtet, e gjoja të bëjnë namin në luftën kundër korrupsionit.

Që të dy e kanë provuar nga dy herë majat e pushtetit dhe që të dy në të dyja rastet dështuan, jo se nuk kishin mundësi por se mes zgjedhjes për të shtyrë vendin përpara dhe interesave personale, zgjodhën këto të dytat.

Janë pikërisht këto interesa personale e mëkate të së shkuarës që mbajnë këto ditë përvëluese gushti në mes të Tiranës si Sali Berishën, ashtu edhe Ilir Metën. Kushdo që mendon të kundërtën e gënjen mendja, ose është pjesë e interesave personale të Berishës e Metës.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Video