Janë zbardhur detaje të reja nga sherri i regjistruar pasditen e sotme në Korçë, mes kryetarit të PD-së i degës së këtij qyteti Devis Osmani me një sekretar grupseksioni të kësaj partie, Eduart Topalli.
Burime bëjnë me dije se fillimisht ka ndodhur një sherr verbal mes tyre në një lokal në hyrje të Korçës dhe më pas ka degjeneruar në përplasje me sende të forta.
Eduart Topalli pretendon se ka qenë kryetari i degës, Devis Osmani ai që e ka goditur i pari dhe më pas ai i është kundërpërgjigjur duke e qëlluar me shishe në kokë.
Pas konfliktit, Devis Osmani është shfaqur i gjakosur në fytyrë, ndërsa në vendngjarje kanë qenë të pranishëm edhe persona të tjerë.
Policia raportohet se ka mbërritur në vendngjarje pasi ka marrë njoftimin dhe është duke marrë në pyetje drejtuesit dhe anëtarët e degës së PD.
Konflikti mes Osmanit dhe Topallit ka nisur rreth një vit më parë për mosmarrëveshjet në lidhje me drejtimin e PD së Korçës, degë ku kjo forcë politike është shfaqur e dyzuar që prej zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021.
Një pjesë e mirë e demokratëve të Korçës nuk e njohin kryetarin Devis Osmani dhe as Kryesinë e re të zgjedhur pas ardhjes së Berishës në krye të PD-së, duke pretenduar se zgjedhjet kanë qenë të manipuluara dhe lista e Kryesisë është bërë nga kryetari.
Partia Demokratike e qendrës fillimisht caktoi zgjedhje të reja për Kryesinë, por ato u shtynë një ditë para se të zhvilloheshin nga gjykata e partisë. Gjithsesi, edhe pse qendra kishte caktuar zgjedhje të reja, kryetari Devis Osmani mblodhi Kryesinë në kundërshtim me qendrën para se zgjedhjet e reja të shtyheshin nga gjykata.