Një “përplasje” virtuale ka nisur mes dy drejtuesve të koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapajt dhe Endri Shabanit, pasi Zeqir Kordhoni, i cili fitoi mandatin e deputetit në Tiranë, nuk ka hequr dorë nga kërkesa për t’u bërë deputet.
Përmes një positmi në rrjetet sociale, Lapaj shkruan se “e gjithë këneta është angazhuar që unë të mos të shkojë në Kuvend”, ku duket se mesazhin ia ka drejtuar aleatit të tij Endri Shabani, i cili është edhe nip i Zeqir Kordhonit.
“Zeqiri (dajo i Endrit) dhe nipi i tij Endri Shabani të cilit i shtriva dorën e bashkimit nuk do marrin asnjë mandat. Qameti do ndalojnë mua të shkoj në Parlament”, shkruan ai, ndërsa më tej edhe i ka “uruar”. “Mbarë u shkoftë bashkë me dajon”, ka shkruar Lapaj.
Reagimi i Lapajt:
Është angazhuar gjithë këneta si e si të mos shkoj unë në Kuvend. Po sa tmerr më keni?! O të mjerë, unë nuk pranoj shantazh e as shitem.
Zeqiri (dajo i Endrit) dhe nipi i tij Endri Shabani të cilit i shtriva dorën e bashkimit nuk do marrin asnjë mandat. Qameti do ndalojnë mua të shkoj në Parlament.
Është një popull i tërë dëshmitar se Endri Shabani u angazhua për hapjen e listave dhe doli garant për familjarët e vetë.
Nëse Endri Shabani do të mbahet mend kështu në jetën publike, mbarë u shkoftë bashkë me dajon!
Jam krenar që u luftova nga çdo anë dhe nuk u ndala! U luftova nga Rama, Saliu dhe këta “të rinjtë”, deri dhe te ky që e futa në gji…nga të gjithë.
Ndaj meje dhe krejt ekipit të Lëvizjes Shqipëria Bëhet po konsumohet publikisht PADREJTËSI!
Edhe Endri Shabani nga ana tjetër ka replikuar, por pa dhënë asnjë koment për mandatin.
Ai ka zgjedhur që t’i përgjigjet me një poezi, ndërsa mes rreshtash thuhet: “Ku ta dija unë i varfri, se armiku ishim ne.”
“Mora pushkën dola malit,
Se armiku isha unë”, shkruan Shabani.