Deputetja e PD-së Dhurata Çupi ka reaguar pas humbjes katastrofale të opozitës në zgjedhjet lokale të 14 Majit.
Në një postim në rrjetet sociale, Çupi shkruan se Partia Demokratike mori të dielën frytet e përçarjes. Sipas saj, pavarësisht humbjes, lidershipi i opozitës nuk ka ndërmend të dëgjojë këmbanat e alarmit.
Deputetja demokrate shprehet se mesazhi i rezultatit të zgjedhjeve është i qartë, ku të përçarë janë të humbur. Ajo shton më tej se shumica e votuesve nuk përfaqësohen më nga kjo opozitë, nuk kanë besim tek kjo opozitë.
Deputetja demokrate bën thirrje që idershipi aktual i opozitës, në të dyja kampet, duhet të tërhiqet dhe t’ia lërë vendin pajtimit përmes një projekti të ri politik dhe përmes njerëzve që mund të rizgjojnë besimin tek elektorati i heshtur.
Sipas saj, të përçarë, me inate, me hakmarrje, me akuza të tmerrshme ndaj njëri-tjetrit do të përfundojnë akoma më keq.
Reagimi i plotë:
Frytet e përçarjes gati 2 vjeçare i morëm të dielën. Disfatë në bastione, humbje të mëdha në pjesën më të madhe të bashkive.
Mijëra demokratë qendruan në shtëpi pa i dhënë besim asnjërës palë të opozitës. Mijëra qytetarë të tjerë të pakënaqur me qeverinë nuk gjetën përfaqësim tek asnjëra nga logot e opozitës.
Për fat të keq, po kuptoj që lidershipi i opozitës nuk ka ndërmend të dëgjojë këmbanat e alarmit. Mesazhi është dhënë i qartë: Të ndarë jemi të humbur! Mesazhi duhet lexuar: Shumica e votuesve nuk përfaqësohen më nga kjo opozitë, nuk kanë besim tek kjo opozitë.
Demokratët, shqiptarët nuk duhet të sakrifikohen më për interesa personalë të askujt. Lidershipi aktual i opozitës, në të dyja kampet, duhet të tërhiqet dhe t’ia lërë vendin pajtimit përmes një projekti të ri politik dhe përmes njerëzve që mund të rizgjojnë besimin tek elektorati i heshtur, trupa e vetme që mund të sjellë në pushtet opozitën.
Është koha t’i lëmë vend arsyes! Të përçarë, me inate, me hakmarrje, me akuza të tmerrshme ndaj njëri-tjetrit do të përfundojmë akoma më keq!