Departamenti Amerikan i Shtetit ka nisur procedurat e zëvendësimit të ambasadores Yuri Kim në Tiranë.
Sipas, Top Channel, zëvendësi ambasadores Kim do të jetë David Kostelanick. Kostelanick është një njohës i mirë i çështjeve ruse.
Për momentin ai është këshilltar i stafit ushtarak në Pentagon “US Army Joint Staff”.
David Kostelanick nuk është një emër i panjohur për Shqipërinë. Ai ka bashkëpunuar më parë me ambasadën amerikane në vendin tonë. Ai ka shërbyer më parë edhe në Ambasadën e SHBA në Moskë, duke përfshirë një detyrë si Asistent Special i Ambasadorit Thomas Pickering. Gjithashtu ka punuar edhe në Misionin e SHBA në OSBE dhe Misionin e SHBA në NATO, duke u fokusuar në të dyja misionet në bashkëpunimin e sigurisë me Ambasadën e SHBA në Tiranë, Shqipëri dhe Ambasadën e SHBA në Ankara, Turqi.
Kandidatura e nominuar duhet të paraqitet në Senat nga ku zhvillohet një dëgjesë e më pas është senati që e miraton.
Deri në emërimin e ambasadorit të ri, ambasada amerikane do të drejtohet nga zëvendësambasadori Demian Smith që nisi detyrën si Zëvendës Shef i Misionit në Ambasadën e SHBA në Tiranë në korrik 2021.