Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani ka reaguar lidhur me incidentin e regjistruar para protestës së opozitës më 6 Dhjetor, ku 31-vjeçari Gert Shehu, goditi me grusht ish-kryeministrin Sali Berisha.
Në një postim në rrjetet sociale, ai bën një krahasim mes Berishës dhe ish-kryetarit të PD-së, Lulzim Basha. Duke iu referuar Berishës, Manjani shkruan se liderat përplasen edhe dhunshëm, ndërsa për Bashën thotë "mashtruesi nuk përplaset por llokos flokët.
Reagimi i plotë:
Leaderi përplaset edhe dhunshëm po qe nevoja. Mashtruesi nuk përplaset por llakos flokët. Ky është dallim i madh.
Krahasoni Berishën me Bashën dhe do mësoni dallimin ndërmjet leader-it dhe mashtruesit. Është leksion i demonstruar në jetën reale ky.
Zaten të lësh demokratët në mes të katër rrugëve dhe, vendin pa opozitë dhe ta quash sukses duhet të jesh mashtrues i lindur. Karakter i squllët dhe i pashpresë.
Ata, që ende na hapin barkun për llogari të mashtruesit, duhet të kuptojnë se janë të pashpresë. Janë thjesht të mbaruar.
Jo ta kenë mirë me Ambasadën e Propagandës, por edhe me vetë propagandën. Janë të mbaruar!
Dhe mbarimi i tyre nuk ka asnjë lidhje me çfarë ndodh me Partinë Demokratike që po përpiqet të organizojë opozitarizmin.
Fati i tyre politik është i vendosur! Ata nuk kanë më asnjë lidhje me demokratët, me apo pa Berishën në krye.
T'u bëjnë mirë privilegjet që marrin duke luajtur këtë teatrin e shëmtuar. Por kaq e kanë mandatën...
Neveri...