Kryetari i Partisë Bindja Demokratike, Fabian Topollaj e ka cilësuar si klienteliste, partinë e Ilir Metës.
Topollaj shprehet se Lëvizja Socialiste për Integrim, sot Partia e Lirisë, ka pasur mundësinë që të luante rolin e një partie që mund të ruante balancat në vend, por bëri të kundërtën.
“Partia e zotit Meta ka mbajtur vulën e një partie klienteliste në Shqipëri, e cila pavarësisht se ka pasur mundësinë që të luante rolin e një partie që ruante balancat, më tepër i ka prishur se i ka ruajtur. Ka qenë një parti klienteliste që e ka përdorur pushtetin për të pasuruar veten dhe përmes pasurimit mund të investonte për të marrë pushtet nga e para.
Nga ky koncept, ne nuk kemi asnjë lidhje me mënyrën se si funksionon partia e zotit Meta. Por e njëjta gjë mund të thuhet edhe për Partinë Demokratike që sot ndodhet në pikë të hallit. Një parti e madhe politke e cila është ndarë në dy fraksione të mëdha. Me këtë lloj modeli, nuk kemi lidhje me asnjërën palë”, theksoi ai në një intervistë për Euronews Albania.
Bindja Demokratike do të garojë e vetme në zgjedhjet lokale që do të zhvillohen më 14 maj të vitit 2023.