Lulzim Basha nuk ka bërë asnjë reagim publik për dënimin e Ervin Salianjit me një vit burg nga Gjykata e Apelit për kallëzim të rremë në lidhje me denoncimin e njohur si “Babalja”.
Kujtojmë se Basha ishte kryetar i Partisë Demokratike në kohën kur deputeti i tij, Ervin Salianji denoncoi vëllain e ministrit Fatmir Xhafaj, Geronin, për lidhjet e tij me trafikun ndërkombëtar të kokainës.
Basha, si atëherë edhe kur prokurorët nisën hetimet dhe në gjykatë u hap procesi, nuk i kursente daljet publike duke i dalë në krahë Salianjit.
Edhe në vitin 2020, Basha do t’i dërgonte në atë kohë ambasadores së SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim një letër lidhur me gjyqin ndaj Ervin Salianjit për çështjen "Babale", ku e informonte se si Salianji dhe gazetari Jetmir Olldashi, sipas tij ishin dënuar padrejtësisht.
Megjithatë, prej mëngjesit të sotëm, që Apeli la në fuqi dënimin me një vit burg për Salianjin, ndonëse ndodhet në pozita të tjera Basha nuk ka bërë asnjë reagim.