
Një gjeneral i dekoruar i Forcave Ajrore të SHBA-së, Chuck Wald, i cili ka drejtuar operacione në Bosnje, Irak dhe Afganistan ka deklaruar se një zgjidhje përfundimtare e konfliktit me Iranin është gati dhe në pritje.
Ai ka bërë thirrje presidentit Donald Trump që të mbështesë një lëvizje të brendshme opozitare në Iran për të zëvendësuar regjimin aktual të Ajatollaheve.
Në një intervistë për median britanike “Express”, Wald argumentoi se SHBA nuk ka nevojë të dërgojë trupa tokësore apo të pushtojë territor iranian, por duhet të njohë Këshillin Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI) si alternativë politike për të ardhmen.
Ai vlerësoi planin me dhjetë pika të paraqitur nga liderja e opozitws iraniane (NCRI), Maryam Rajavi, duke e krahasuar me një kushtetutë demokratike që përfshin ndarjen e fesë nga shteti, zgjedhje të lira, barazi gjinore dhe një Iran pa armë bërthamore.
“Shtetet e Bashkuara nuk kanë nevojë të dërgojnë asnjë ushtar të vetëm dhe nuk kanë nevojë të pushtojnë tokën iraniane. Njohja e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit dhe qeverisë së tij të përkohshme do të dërgonte një mesazh të fuqishëm. Plani Dhjetë Pikash i artikuluar nga Presidentja e zgjedhur e NCRI-së, Maryam Rajavi, lexohet si një kushtetutë e shkruar nga Etërit Themelues: ndarja e fesë nga shteti, zgjedhje të lira, barazi gjinore, bashkëjetesë rajonale dhe një Iran jo-bërthamor”, tha ai.