Incidenti te “Petro Nini”, reagon Braçe: Struktura kriminale do të mbyllë në shtëpi socialistët

11 May 2025, 20:15Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Incidenti te “Petro Nini”, reagon Braçe: Struktura kriminale
Erion Braçe

Deputeti Erion Braçe ka reaguar pas një incidenti në një zyrë të Partisë Socialiste në Tiranë, të cilën demokratët e denoncuan si një “bazë ku kryeshin krime zgjedhore”.

Ai ka akuzuar demokratët se kanë ushtruar presion për të trembur socialistët që të mos kryejnë aktivitetin e tyre dhe të mos votojnë. Braçe tha se zyra në fjalë ishte zyra e tij elektorale.

“Është pjesë e një strukture kriminale që ka tentuar të mbyllë socialistët në shtëpi. Keni ndonjë pretendim që unë kam prekur qoftë edhe ndonjë votë të vetme? Jo. Padijenia është gjë e rëndë shumë”, u shpreh Braçe.

Belind Këlliçi nga Partia Demokratike ka akuzuar se aty po kryhej krim zgjedhor. Ai tha se brenda zyrës ishin dy drejtore të punësuara në shtet si dhe persona të tjerë, që pasi u zbuluan nga aktivistët e PD-së, mblodhën listat dhe dokumentet dhe u larguan me shpejtësi.

“Kemi marrë një indicie që këtu kryhej krim elektoral. Dhe kemi ardhur për të parë. Kanë qenë dy drejtoresha, të cilat i kemi dhe me emra. Dhe në momentin që kemi konstatuar personat brenda, u kemi kërkuar çfarë po bëni? Ata kanë hequr menjëherë listat, dokumentat, i kanë futur në çanta dhe janë larguar me vrap. Më pas ka ardhur Braçe dhe ka deklaruar se kjo është zyra e tij elektorale”, u shpreh Këlliçi.


Video