“I hidhte në kosh”, Et’hem Ruka: Si i koleksionova pikturat e Ramës

7 February 2022, 18:25Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

“I hidhte në kosh”, Et’hem Ruka: Si i koleksionova

Ish-ministri socialist Et’hem Ruka ka rrëfyer në një intervistë se ka qenë pikërisht ai iniciatori i ekspozitave të Edi Ramës dhe gjithçka ka nisur nga mbledhjet e qeverisë.

Por si?

“Unë dhe zoti Rama, sot Kryeministër, uleshim bashkë në mbledhjet e gjata të qeverisë. Rama, si gjithmonë antikonformist, kritik për modelet që nuk i përshtateshin standardit të tij, nuk e shpenzonte kohën kot për të dëgjuar gjëra pa interes. Ai vetëm vizatonte dhe në fund vizatimet e tij mbeteshin mbi tavolinë ose të hedhura në kosh. Mua më pëlqente shumë krijimtaria e tij dhe mblidhja gjithçka që ai linte pas. Më vonë fillova t’i kërkoja të hidhte firmën në to, të vendoste datën dhe një dedikim për mua. Mbledhje pas mbledhjesh unë krijova një koleksion me rreth 100 piktura të cilat ja tregova njëherë kur e vizitova në Bashkinë e Tiranës. Besoj se e ndërgjegjësova se vizatimet e tij nuk ishin thjesht për të kaluar kohën, por kishin vlerë të çmuar artistike. Më vonë ai botoi albume dhe hapi ekspozita të suksesshme”, ka treguar Ruka për gazetën Dita.

I pyetur se çfarë mendimi ka për Ramën si kryeministër, profesor Ruka thotë se “Rama nuk mund të vlerësohet nga gjykimet e ditës, por nga analizat e të nesërmes”.

“Kjo është një pyetje e vështirë për të dhënë përgjigje në një intervistë kaq të shkurtër. Nuk ka  asnjë lider që në rrugëtimin e vet të mos kalojë përmes suksesit dhe gabimeve. Edhe Rama është një i tillë. Rama nuk mund të vlerësohet nga gjykimet e ditës, por nga analizat e të nesërmes. Ai është njeriu pasur në ide, shumë punëtor, ambicioz për t’u shkuar gjërave deri në fund, qytetar, njeri pa komplekse në raport me të huajt, njeri që ka ndërmarrë reforma të guximshme që askush nuk pati guxim t’i prekte më parë dhe një politikan i zoti që askush nuk e kishte pritur të ishte kaq jetëgjatë.

Çdo kryeministër është një qenie njerëzore që drejton në një kontekst të caktuar, në rrethana të caktuar kombëtare e ndërkombëtare, në një stad të caktuar të zhvillimet ekonomike të vendit, dhe si i tillë nuk ka mundësi të asnjëherë jetë plotësisht në pritshmëritë e qytetarëve të vendit të vet”, tha Ruka.


Video